Ja kush janë studiot që do hartojnë projektet për modernizimin e rezidencave qeveritare në Velipojë dhe Vlorë

Ja kush janë studiot që do hartojnë projektet për

Dy studiot arkitekturore, “Saunders Architecture” dhe “Practica”, janë shpallur fituese në konkursin ndërkombëtar për riparimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare në Velipojë dhe Vlorë, në kuadër të projektit strategjik “Hospitality Albania”.

Qëllimi i kësaj nisme, sipas Qeverisë, është transformimi i këtyre rezidencave të amortizuara në struktura moderne dhe ekskluzive, duke rritur potencialin turistik të destinacioneve përkatëse dhe duke i kthyer ato në hapësira për mikpritjen e personaliteteve të nivelit të lartë nga politika, kultura, arti dhe sipërmarrja ndërkombëtare, pa cënuar pronësinë shtetërore.

Projekti fitues për rezidencën e Velipojës, propozuar nga “Saunders Studio”, u vlerësua për qasjen e tij ndaj ruajtjes së identitetit dhe natyrës përreth, përmes një ndërtimi që ndërthur të vjetrën me të renë. Veçanërisht u theksua ideja e kullës vertikale dhe hapja e rezidencës ndaj komunitetit për funksione publike.

Për rezidencën e Vlorës, ku u paraqitën katër projektide, propozimi i studios “Practica” u vlerësua për integrimin harmonik të peizazhit me arkitekturën përmes tarracave që ndërlidhnin strukturën me mjedisin përreth. Juria theksoi kërkimin e kujdesshëm dhe qasjen kreative ndaj vendndodhjes.

“Hospitality Albania”, është një iniciativë qeveritare që synon kthimin e aseteve shtetërore me potencial të lartë në qendra elitare mikpritjeje dhe turizmi, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik luksoz.

Prezantimi i projektideve të finalistëve të fazës së dytë u zhvillua në një event të veçantë me praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe një jurie ndërkombëtare të specializuar në fushën e arkitekturës.

EMISIONET