INVESTIGIMI/ Dritëhijet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit 

Abuzimi dhe shpërdorimi i lekëve të taksapaguesve shqiptarë është një fenomen që duket se nuk ka të ndalur.

Përballë kësaj situate kritike medias i mbyllen të gjitha rrugët e komunikimit, ndërkohë që drejtuesit e intitucioneve dhe ministrive shkelin ligjin për të drejtën e informimit, duke mos dhënë asnjë informacion se ku përfundojnë miliona euro fonde publike.

Televizioni “Ora News” ka denoncuar “zhdukjen” e 1.7 miliardë lekëvë që AKSHI i ka ofruar subjektit “Spot Communicatiuons” për të reklamuar portalin e- Albania.

Duke u nisur nga fakti që ky institucion i mbyll derën gazetarëve, iu  drejtuam Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Ky institucion preferon të bëhet “avokat” i AKSHI-t, duke mos nxitur transparencën me median, por shprehet se pyetjet “si u shpenzuan fondet publike?”, e tejkalojnë qëllimin e njohjes, çka ngre dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me shpërdorim detyre nga Drejtoresha Elona Hoxhaj. 

Sikur të mos mjaftojë ky fakt, Komisioneri për të Drejtën e Informimit “shpik” një kërkesë që gazetari kur t’i drejtohet këtij institucioni duhet të ketë një akt përfaqësimi nga Administratori i televizionit.

Duam të theksojmë faktin se në të gjitha komunikimet që kemi patur me këtë institucion që nga viti 2014, asnjëherë nuk i është kërkuar një gazetari që të ketë akt-përfaqësimi nga administratori i televizionit, por befas në mars të vitit 2023 situata ndryshon, dhe kjo ndodh pikërisht në momentin që ministritë dhe institucionet shtetërore e shohin median si kërcënim, pasi mund të hedhë dritë mbi skandale dhe korrupsione.

Tv “Ora News” ka përmbushur dhe do përmbushë çdo detyrim ligjor por pyetja shtrohet ku e bazon Komisioneri për të Drejtën e Informimit kërkesën që një gazetar të pajiset me një akt përfaqësimi nga Administratori.

Edhe vetë institucioni nuk e di bazën ligjore të kërkesës që ka, sepse  në muajin mars shprehet se kërkesa bazohet në nenin 24 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Por një muaj më pas jep një tjetër version dhe argumenton se kërkesën e bazon në ligjin nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Një pyetje publike kemi për Komisionerin Besnik Dervishaj, nëse “akti i përfaqësimit” ka qenë detyrim ligjor që në vitin 2014, pse filloi të zbatohet pas 9 vitesh?

Duke u nisur nga fakti që për të njëjtën kërkesë citohen ligje të ndryshme, cila është baza e vërtetë ligjore që e mbështet kërkesën Komisioneri?

Më herët Tv “Ora News” ka denoncuar Drejtoreshën e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, Elona Hoxhaj, e cila ka shpërdoruar detyrën duke heshtur dhe mos nxitur transparencën e autoriteteve publike.

elona hoxhaj alketa Çeku akshi komisioneri për të drejtën e informimit besnik dervishaj

EMISIONET