Berisha: Flamuri i fushatës është në duart e opozitës! Bota dixhitale zien e tëra për opozitën, ftoj Ramën në debat
Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët deklaroi se flamuri i fushatës është në duart e opozitës, teksa shtoi se bota dixhitale zien e tëra për opozitën.
"Fushata elektorale e opozitës ka elektrizuar anëkënd vendin. Flamuri i fushatës është në duart e opozitës. Alternativat e saj janë alternativat që kanë pushtuar mendjen, zemrën e shqiptarëve, vatrat e tyre familjare. Civiliteti i fushatës së opozitës është shembullor. Projektet, programet e qeveritarëve vendorë të ardhshëm janë një garanci e madhe për ndryshimin e shpejtë të gjendjes dramatike të bashkive tona. Por janë njëkohësisht rivendosje pluralizmi politik në qeverisjen vendore në Shqipëri.
Të gjitha këto kanë një kontrast të madh me krahun tjetër. Siç e shihni, bota pa censurë, që është bota dixhitale, zien e tëra për opozitën. Para se të vija këtu, në një votim prej 12 mijë vetësh në portalin e studentëve, 69 përqind votonin për Belind Këlliçin. Rinia e tëra pas tij, ndërkohë po nga bota dixhitale, javën që kaloi, Lal Fallci e mbylli me indeksin më të lartë të neverisë në mediat sociale. Indeks, i cili ishte 20 herë ose dhe më shumë, i lartë se rivali i tij. Pra, ajo që çka shpreh mendimin real të qytetarëve, faktohet si një triumf i padiskutueshëm i opozitës", u shpreh Berisha.
Në vijim, lideri historik i demokratëve e ftoi kryeministrin Edi Rama në debat, ku tha se do i rreshtojë jo vetëm vjedhjet e tij, por edhe të familjarëve.
"Edhe njëherë, dënoj me forcën më të madhe refuzimin e ballafaqimit të kandidatëve nga Edi Rama si një akt të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve shqiptarë. Rama nuk i nxjerr kandidatët sepse mbi ta rëndojnë fatura dhjetëra milionë euro vjedhjesh nga më të ndryshme. U bëj thirrje medieve të vendosin në studio dy karrige dhe të ftojnë kandidatët për debat dhe të lënë bosh karrigen e kandidatit që nuk paraqitet. Sikundër përsëris ftesën ndaj Edi Ramës, të vijë në debat, të paraqesë para shqiptarëve gjithçka ai e konsideron se i shërben interesit të pushtetit të tij. Nuk vjen dot.
Unë e bëj këtë, por unë jam i bindur se ai nuk mund të vijë në debat. Rëndojnë afera të tmerrshme mbi shpatullat e tij. Dhe unë ia nxjerr dokumentet një nga një përpara shqiptarëve. Unë do i rreshtoj jo vetëm vjedhjet e tij, por edhe me familjarët e tij në tendera. Pra, Edi Rama nga njëra anë i fsheh kandidatët e tij, dhe vetëm pas denoncimeve të përsëritura të mia, nxori fytyrën e Lal Fallcit, se edhe atë e kishte zhdukur, nga ana tjetër nuk pranon debatet. Kjo është një fyerje e madhe për qytetarët. U bëj thirrje qytetarëve të kërkojnë nga kandidatët të debatojnë, qoftë edhe në sheshet e qytetit.
Nga ana tjetër, u bëj thirrje gazetarëve të verifikojnë çdo pretendim, çdo pseudosukses që numërojnë sot sekti i rilindjes, sekti i vjedhjes. Rilindje do të thotë vjedhje sot për shqiptarët. A mund të imagjinoni një kryebashkiak që zhduk 520 mijë metër katror gjelbërim dhe mashtron e thotë se kam mbjellë 1 milion pemë. Këtë mashtrim e bën për të justifikuar vjedhjen e miliona eurove që ka faturuar me 1 milion fidanë. Një njeri që u thotë qytetarëve që kam ndërtuar 40 shkolla dhe fillon e numëron 5, 8 apo 15. Se nuk i ka", u shpreh Sali Berisha.