365 milionë euro kontratë, 1 miliard euro fitim i parashikuar? Këlliçi: PD kërkon hetim për koncesionin Milot-Balldren

365 milionë euro kontratë, 1 miliard euro fitim i parashikuar?

Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të kontratës koncesionare 35-vjeçare për aksin Milot–Balldren, duke ngritur akuza për përfshirjen e një kompanie pjesë e konsorciumit fitues në një hetim të SPAK-ut.

Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat, ngriti pikëpyetje mbi procedurën e dhënies së koncesionit, me vlerë fillestare 365 milionë euro, duke pretenduar se fitimi i garantuar nga kontrata mund të arrijë në rreth 1 miliard euro.

Sipas Këlliçit, në konsorciumin fitues bën pjesë edhe kompania “Erald-G”, në pronësi të Gëzim Ismailit, për të cilin ai pretendoi se figuron në një dosje hetimore të SPAK-ut lidhur me çështjen e grupit të njohur si “Aruba”.

Nënkryetari i PD-së ngriti akuza se kjo kompani ka lidhje me persona nën hetim për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, duke kërkuar që autoritetet të verifikojnë përfshirjen e saj në projektin e infrastrukturës.

Këlliçi përmendi vendimin e GJKKO-së të 10 qershorit 2026, ku sipas tij u caktuan masa sigurie për 19 persona në kuadër të hetimit për grupin “Aruba”.

Ai pretendoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, kompania në fjalë ka vijuar të përfitojë kontrata publike.

Sipas Partisë Demokratike, duhet të anulohen procedurat për koncesionin Milot–Balldren, të vendoset nën verifikim kompania dhe të hetohen kontratat publike të përfituara prej saj ndër vite.

Këlliçi ngriti gjithashtu kritika ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar përgjigje për mënyrën se si kompani të përfshira në hetime, sipas pretendimeve të tij, mund të jenë pjesë e projekteve me vlera të mëdha publike.

EMISIONET