Ilir Beqaj kërkon rrugëdalje ligjore/ I ofron garanci pasurore GJL për të 'shpëtuar' nga "arresti me burg"

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka çuar në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj tij, duke kërkuar zëvendësimin e “arrestit në burg” me një masë më të lehtë.
Kërkesa është depozituar këtë të martë, përmes një rekursi ku Beqaj kundërshton vendimin për masën e sigurisë dhe kërkon rishikimin e saj nga shkalla më e lartë e gjyqësorit.
Në dokumentin e paraqitur në Gjykatën e Lartë, ish-ministri ka propozuar edhe vendosjen e një garancie pasurore, duke argumentuar se kjo masë mund të sigurojë respektimin e detyrimeve të tij gjatë procesit penal.
Beqaj kërkon që masa aktuale e arrestit në burg të ndryshohet në një masë alternative sigurie, ndërsa vendimi përfundimtar tashmë i takon Gjykatës së Lartë.
Trupa gjyqësore pritet të shqyrtojë argumentet e paraqitura nga ish-ministri dhe të vendosë nëse masa e arrestit do të mbetet në fuqi apo nëse do të zëvendësohet me një masë tjetër sigurie.

