"Protesta e rrezikoi koncertin e Kanye West"/ Gonxhja: Sabotimi solli koston 4.3 milionë euro

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, komentoi në Komisionin e Ligjeve debatin për fondin prej 4.3 milionë eurosh të akorduar për koncertin e Kanye West në Tiranë.

Sipas tij, kostoja lidhet me masat e marra për të garantuar zhvillimin e aktivitetit në kushtet e protestave që, sipas ministrit, rrezikuan mbarëvajtjen e koncertit.

Gjatë diskutimeve në komision, Gonxhja tha se koncerti u vu në shënjestër të protestuesve dhe se kjo krijoi një situatë që kërkoi ndërhyrje për të shmangur dështimin e aktivitetit.

"Koncerti u kthye në një mulli ere, ndaj të cilit u kthye çdo protestues i asaj pjese që po anatemonte objektivin e gabuar. I sabotuar, i minuar, i vënë në listën e objektivave të një proteste, ku në disa aspekte linte shumë për të dëshiruar. Flas për pjesën e dhunshme dhe bullizuese, që nuk ishte e vetëdijshme për dëmet që mund t’i shkaktonte vendit dhe për dëmet që mund të maten edhe me koston e faturës së këtij akti normativ", u shpreh ministri.

Më tej, ai përdori edhe një krahasim për përgjegjësinë që, sipas tij, mbajnë protestuesit për situatën e krijuar.

"Nëse do të kishte një NIPT ajo pjesë e protestës, kjo faturë i takonte atyre, në fakt, asaj pjese të protestës që, nga padija, keqdashja apo injoranca, krijoi këtë situatë… për të garantuar që ngjarje të këtij niveli të mos dështojnë, edhe nëse në vend zhvillohen akte të tilla të paparashikuara", tha Gonxhja.

 

EMISIONET