VIDEO/ 10 net sulme ajrore ndaj Iranit, Trump paralajmëron përgjigje të fortë për çdo k*rcënim në Hormuz

VIDEO/ 10 net sulme ajrore ndaj Iranit, Trump paralajmëron përgjigje

Për të dhjetën natë radhazi, forcat amerikane kanë vijuar sulmet ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran, duke goditur instalime raketash, baza dronësh dhe infrastrukturë tjetër strategjike.

Operacionet janë përqendruar në zonat pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar fushatën ushtarake si një përgjigje ndaj veprimeve të Teheranit.

Në deklaratat e tij të fundit, ai paralajmëroi se çdo sulm ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit do të përballet me një kundërpërgjigje shumë më të fortë, ndërsa u zotua të hakmerret për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë gjatë fundjavës.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, operacionet ushtarake do të vazhdojnë derisa presidenti Trump të vendosë ndryshe, edhe pse administrata amerikane thekson se kanalet diplomatike me Teheranin mbeten ende të hapura.

 

Ndërkohë, gjatë natës së fundit u raportuan shpërthime në disa pika strategjike të Iranit. Sulmet përfshinë ishullin Qeshm, portet e Bandar Abbas dhe Bandar Lengeh, si dhe zonën e Sirikut përgjatë Ngushticës së Hormuzit.

Shpërthime u raportuan gjithashtu në qytetet Konarak dhe Chabahar, në provincën Sistan, si edhe në Shiraz. Në Bushehr, ku ndodhet centrali bërthamor iranian, u aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore pas sinjalizimeve për sulme.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane njoftuan se kanë ndërmarrë kundërsulme ndaj objektivave amerikane në rajon. Sipas Forcave Tokësore të Iranit, janë goditur sisteme raketore amerikane HIMARS në kampin Arifjan në Kuvajt, si pjesë e operacioneve hakmarrëse kundër bazave ushtarake amerikane.

Në të njëjtën kohë, ambasadori i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit, duke dënuar sulmin e fundit ndaj një objekti bërthamor iranian dhe duke e cilësuar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Pavarësisht vazhdimit të kontakteve diplomatike, situata në rajon mbetet shumë e tensionuar, ndërsa shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit dhe ndikimin e tij në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë vazhdojnë të rriten.

EMISIONET