“CoratoLive”: Bukuri natyrore dhe çmime të arsyeshme, Shqipëria, në fokus të turistëve italianë

“CoratoLive”: Bukuri natyrore dhe çmime të arsyeshme,

Me plazhet e saj me pamje tipike mesdhetare, qendrat historike, që ruajnë dëshmi të shumta të Perandorisë Osmane dhe peizazhet malore mahnitëse, Shqipëria ofron gjithçka që mund të dëshirojë një turist, shkruan media italiane “CoratoLive.it”.

E vendosur në anën tjetër të Adriatikut, Shqipëria është shumë pranë Italisë dhe mund të arrihet nga qytete si Bari përmes një udhëtimi me traget.

Me bregdetin e saj të mrekullueshëm, qytetet historike dhe natyrën e larmishme, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë.

Për ata që kërkojnë pushime të përballueshme, pa shumë vështirësi organizative dhe me buxhet të arsyeshëm, Shqipëria është një alternativë që meriton vëmendje.

Çfarë duhet të keni parasysh para nisjes?

Lidhja detare me traget nga Bari e bën udhëtimin relativisht të thjeshtë për turistët italianë.

Disa kompani operojnë në këtë linjë, me kohëzgjatje rreth gjashtë orë e gjysmë, për shërbimin standard dhe më pak për tragetet e shpejta.

Para nisjes, turistët duhet të kenë parasysh se Shqipëria përdor monedhën e saj kombëtare, lekun.

Për këtë arsye, këshillohet që këmbimi i valutës të bëhet paraprakisht për të përfituar nga kurse më të favorshme.

Gjithashtu, rezervimet e hershme mbeten zgjedhja më e mirë, pasi çmimet rriten ndjeshëm gjatë pikut të sezonit turistik në korrik dhe gusht.

Telefoni dhe roaming-u

Një aspekt praktik që surprizon shumë turistë italianë, lidhet me përdorimin e telefonisë celulare.

Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, që do të thotë se rregullat e roaming-ut të BE-së nuk zbatohen.

Në praktikë, përdorimi i kartave SIM italiane për internet dhe telefonata në Shqipëri, mund të rezultojë i kushtueshëm, pasi tarifat varen nga politikat ndërkombëtare të operatorëve përkatës.

Për këtë arsye, rekomandohet që turistët, të verifikojnë paraprakisht kostot e roaming-ut ose të zgjedhin paketa shtesë, që ofrojnë disa operatorë për vendet jashtë BE-së.

Çfarë ofron Shqipëria?

Për shumë vite, Shqipëria ka qenë një nga vendet më pak të vizituara në Evropë.

Kjo ka bërë që ajo të ruajë një element që shumë destinacione të njohura, e kanë humbur prej kohësh: ndjesinë e zbulimit dhe autenticitetit.

Plazhe dhe det

Riviera Shqiptare shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit, duke ofruar ujëra të kristalta dhe plazhe mbresëlënëse që, jashtë pikut të sezonit në korrik dhe gusht, me të njëjtën bukuri natyrore si plazhet e famshme të Greqisë dhe Kroacisë.

Popullariteti që këto destinacione kanë fituar në rrjetet sociale nuk është rastësi, por pasojë e një bukurie natyrore autentike, që po zbulohet nga gjithnjë e më shumë turistë ndërkombëtarë.

Qytetet historike

Në brendësi të vendit ndodhet qyteti i Beratit, një nga pasuritë e njohura të UNESCO-s, i dominuar nga kalaja e tij historike, e cila mund të vizitohet lehtësisht dhe zakonisht pa radhë të gjata turistësh.

Ndërkohë, kryeqyteti i Tiranës ka përjetuar një transformim të shpejtë gjatë viteve të fundit, me hapjen e restoranteve të reja, muzeve dhe hapësirave kulturore moderne.

Një nga shembujt më interesantë të këtij zhvillimi është Bunk’Art, ku bunkerët e epokës komuniste, janë shndërruar në një kompleks muzeal, që ndërthur historinë me artin bashkëkohor, duke u konsideruar ndër më origjinalët në Ballkan.

Destinacioni ideal për turistët aventurierë

Ballkani mbetet një zgjedhje tërheqëse, për ata që preferojnë të udhëtojnë me çantë shpine dhe të eksplorojnë zona më pak të frekuentuara.

Në këtë aspekt, Shqipëria konsiderohet një nga destinacionet më të mira në rajon.

Krahasuar me itineraret tradicionale të backpacking-ut në Evropën Perëndimore dhe Jugore, vendi ofron më shumë qetësi dhe një përvojë më autentike.

Në të njëjtën kohë, rrjeti i hosteleve po zgjerohet vazhdimisht, ku shumë prej tyre menaxhohen nga familje vendase dhe ofrojnë mikpritje tradicionale.

Kostot e ulëta, një nga avantazhet kryesore

Një nga arsyet më të forta për të vizituar Shqipërinë mbetet kostoja relativisht e ulët e pushimeve, krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare.

Një turist me buxhet mesatar, që zgjedh të qëndrojë në një hotel të mirë, të konsumojë vakte në restorante dhe të vizitojë atraksionet kryesore turistike, mund të llogarisë një shpenzim ditor mes 50 dhe 90 eurove.

Edhe sektori i gastronomisë mbetet shumë konkurrues krahasuar me standardet evropiane.

Një vakt i plotë në një restorant lokal, rrallëherë kushton më shumë se 10 deri në 15 euro për person, ndërsa ushqimi i rrugës është edhe më ekonomik.

Vizitorët këshillohen gjithashtu të provojnë verërat shqiptare, të cilat ofrojnë cilësi të mirë me çmime dukshëm më të ulëta se ato italiane.

A ia vlen udhëtimi?

Shqipëria nuk është ende një destinacion tradicional turistik, por një vend në zhvillim të shpejtë.

Pikërisht ky fakt e bën atë tërheqëse për shumë vizitorë: mundësia për të vizituar një destinacion para se ai të bëhet tepër i popullarizuar dhe i mbingarkuar nga turizmi masiv.

Për turistët që nisen nga rajoni i Pulias, kombinimi i afërsisë gjeografike, kostove të përballueshme dhe peizazheve të ndryshme, e bën Shqipërinë një nga alternativat më tërheqëse, për pushime ekonomike, por me përvoja të pasura turistike.

EMISIONET