Zelensky ndryshon drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, largohet Mikhailo Fedorov pas vetëm gjashtë muajsh

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mikhailo Fedorov, është larguar nga detyra, në kuadër të riorganizimit të kabinetit qeveritar të nisur nga presidenti Volodymyr Zelensky.
Fedorov, 35 vjeç, i njohur për rolin e tij në zhvillimin e teknologjive dhe mjeteve që kanë mbështetur forcat ukrainase gjatë luftës me Rusinë, njoftoi dorëheqjen.
Ndërkohë, mediat ukrainase, duke cituar burime pranë Presidencës, raportojnë se ai është shkarkuar pas gjashtë muajsh në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas Kyiv Independent, mbetet e paqartë nëse Fedorov do të marrë një detyrë tjetër në qeveri, ndërsa vazhdon procesi i riorganizimit të kabinetit.
Raportimet e Financial Times bëjnë të ditur se Zelensky pritet të propozojë ministrin në largim të Brendshëm, Ihor Klymenko, për drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ky vendim vjen pas një takimi të zhvilluar mes presidentit, Fedorovit dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Oleksandr Syrsky.
Zelensky nuk dha detaje për ndryshimet në kabinet, por përsëriti se synon një aparat ushtarak të koordinuar. Ai përmendi si prioritete bashkëpunimin mes ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, çështjet e rekrutimit dhe forcimin e mbrojtjes ajrore.


