Lufta në Ukrainë / Sulmohet rafineria ruse pranë lumit Vollga

Lufta në Ukrainë / Sulmohet rafineria ruse pranë lumit Vollga

Ukraina ka ndërmarrë një sulm me dronë ndaj një rafinerie nafte në rajonin rus të Nizhny Novgorodit, pranë lumit Vollga, duke shkaktuar dëme në një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në vend.

Guvernatori i rajonit, Gleb Nikitin, konfirmoi në mënyrë të tërthortë sulmin, duke bërë të ditur se mbetjet e dronëve të rrëzuar shkaktuan dëme në një objekt industrial dhe në disa ndërtesa banimi. Sipas tij, një person humbi jetën, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur.

Pamje dhe video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë në rafinerinë e naftës në Kstovo, rreth 30 kilometra në juglindje të Nizhny Novgorodit. Impianti, në pronësi të kompanisë Lukoil, konsiderohet një nga rafineritë më të rëndësishme të Rusisë.

Sulmi vjen në kuadër të strategjisë së Ukrainës për të goditur infrastrukturën energjetike ruse, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon prej më shumë se katër vitesh. Sulmet e përsëritura ndaj industrisë së naftës kanë ushtruar presion mbi furnizimin me karburant në Rusi, duke shkaktuar probleme në disa rajone të vendit./DPA NEWS

 

EMISIONET