Ronaldo-Modriç, akti i fundit i një rivaliteti legjendar/ Dy ikonat përballen për biletën në 1/8 e Botërorit

Ronaldo-Modriç, akti i fundit i një rivaliteti legjendar/ Dy ikonat

Cristiano Ronaldo dhe Luka Modriç janë gati të shkruajnë edhe një kapitull të fundit në historinë e futbollit. Portugalia dhe Kroacia përballen në orën 01:00 në stadiumin e Torontos, në një duel vendimtar për kalimin në fazën e 1/8-ve të Botërorit, por vëmendja do të jetë e gjitha te dy legjendat që mund të luajnë ndeshjen e tyre të fundit në një Kupë Bote.

Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo vazhdon të sfidojë kohën dhe ëndërron trofeun e vetëm që i mungon në karrierën e jashtëzakonshme – Kupën e Botës. Sulmuesi portugez ka realizuar tashmë dy gola në këtë edicion dhe synon të udhëheqë Portugalinë drejt fazës tjetër.

Në krahun tjetër, Modriç është lideri i Kroacisë dhe kërkon të përsërisë mrekullitë e viteve 2018 dhe 2022, edhe pse e pranon se misioni është më i vështirë se kurrë.

Përtej sfidës mes dy kombëtareve, kjo do të jetë edhe përballja e dy prej futbollistëve më të mëdhenj të epokës moderne. Ronaldo dhe Modriç numërojnë së bashku plot 67 trofe në karrierë, kanë fituar Topin e Artë dhe kanë ndarë për vite me radhë sukseset me fanellën e Real Madridit, ku dominuan futbollin europian.

Nga shokë skuadre në rivalë për një natë, Ronaldo dhe Modriç pritet të dhurojnë një tjetër spektakël në atë që mund të jetë dueli i fundit mes dy ikonave të futbollit botëror në skenën më të madhe. Në Toronto, historia është gati të shkruajë një kapitull të ri.

 

EMISIONET