Etna zgjohet sërish / Lumenj llave shpërthejnë nga 3 mijë metra lartësi

Vullkani Etna, më i madhi aktiv në Evropë, ka hyrë në një fazë të re aktiviteti, duke nxjerrë lumenj llave që po rrjedhin nga një çarje e hapur rreth 3 mijë metra mbi nivelin e detit. Pamjet spektakolare të filmuara me dron tregojnë llavën e ndezur që zbret përgjatë shpateve të malit, duke ndriçuar qiellin e natës mbi Siçili.
Sipas Observatorit të Etnës pranë Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), aktiviteti shpërthyes nisi nga një çarje e re, ndërsa vetëm brenda 24 orëve rrjedha e llavës kishte përshkuar mbi 300 metra nga pika e shpërthimit.
Edhe pse pamjet kanë bërë xhiron e botës, ekspertët bëjnë të ditur se aktiviteti vullkanik mbetet relativisht i moderuar dhe deri tani nuk janë krijuar re të mëdha hiri që mund të rrisin rrezikun.
Autoritetet italiane kanë vendosur nivelin portokalli të alarmit për aviacionin, për shkak të mundësisë së ndikimit në fluturimet pranë Katanias, ndërsa alarmi për popullsinë mbetet në nivelin e verdhë.
Sipas Agjencisë Italiane të Mbrojtjes Civile, shpërthimi nuk paraqet aktualisht rrezik të menjëhershëm për banorët, por situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga specialistët.


