Tuneli që sfidon natyrën, Norvegjia hap rrugën për një epokë të re lundrimi!

Tuneli që sfidon natyrën, Norvegjia hap rrugën për një

Norvegjia po përgatitet të realizojë një nga projektet më të pazakonta dhe ambicioze të infrastrukturës detare në botë.

Vendi skandinav planifikon të ndërtojë tunelin e parë detar të projektuar posaçërisht për kalimin e kroçerave dhe anijeve të mëdha, një vepër që synon të rrisë sigurinë e lundrimit në një nga zonat më të rrezikshme të bregdetit të tij.

Projekti, i njohur si “Stad Ship Tunnel”, do të ndërtohet në bregun perëndimor të Norvegjisë, pranë gadishullit Stadlandet.

Kjo zonë konsiderohet prej vitesh një nga më të vështirat për lundrim për shkak të erërave të forta, stuhive të shpeshta dhe dallgëve të fuqishme që rrezikojnë anijet gjatë kalimit pranë Kepit Stad.

Autoritetet norvegjeze theksojnë se objektivi kryesor i projektit është mbrojtja e pasagjerëve dhe rritja e sigurisë së trafikut detar.

Tuneli pritet të ketë një gjatësi prej rreth 1.7 deri në 1.8 kilometra dhe një gjerësi prej 37 metrash. Përmasat e tij do të lejojnë kalimin e anijeve deri në 140 metra të gjata dhe me peshë deri në 16 mijë tonë.

Kostoja e projektit vlerësohet në rreth 8.6 miliardë korona norvegjeze, ose afërsisht 782 milionë euro. Edhe pse parlamenti norvegjez e miratoi projektin që në vitin 2017, rritja e kostove dhe debatet politike shkaktuan vonesa të shumta.

Pas zgjidhjes së çështjeve financiare dhe përcaktimit të buxhetit përfundimtar, projekti ka hyrë në fazën përgatitore.

Punimet pritet të nisin në fillim të vitit 2027, duke shënuar një hap historik në inxhinierinë detare dhe transportin ndërkombëtar.

EMISIONET