Trump sulmon gazetarët e "New York Times": Kalova sërish testin njohës me rezultate perfekte

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka kryer një tjetër kontroll mjekësor në qendrën Walter Reed, ku iu nënshtrua edhe një testi njohës. Në të njëjtin postim në Truth Social, ai tha se e ka kaluar testin me rezultate perfekte, ndërsa sulmoi dy gazetarë të New York Times.
Trump shkroi se kryen kontrolle mjekësore çdo gjashtë muaj dhe se këtë herë kërkoi edhe një test njohës. Sipas tij, ai është i vetmi president amerikan që e ka kryer këtë test tri herë dhe në të gjitha rastet ka dhënë të gjitha përgjigjet saktë.
Në të njëjtin postim, ai vuri në shënjestër gazetarët Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, duke pretenduar se pak njerëz në Uashington do të mund ta kalonin testin dhe se ata nuk do të arrinin të jepnin as gjysmën e përgjigjeve të sakta. Trump u bëri gjithashtu thirrje ndjekësve të mos blinin librin e tyre.
Më tej, ai sulmoi personalisht Maggie Haberman, duke e quajtur "një dështake" dhe duke përsëritur se padia shumëmiliardëshe e ngritur ndaj New York Times do të përfundojë në gjykatë.
Postimi u publikua në të njëjtën ditë kur administrata amerikane u dërgoi thirrje gjyqësore disa gazetarëve të New York Times lidhur me raportimet e tyre për masat e sigurisë së avionit presidencial Air Force One.
Shëndeti i presidentit amerikan vazhdon të jetë objekt diskutimi publik. Kontrolli i fundit mjekësor ishte kryer në muajin maj dhe ishte përshkruar si një kontroll parandalues mjekësor dhe dentar.
Në Shtetet e Bashkuara nuk ka një ligj që i detyron presidentët të publikojnë kartelat e tyre mjekësore, megjithatë administratat zakonisht bëjnë publik një raport për kontrollet shëndetësore të presidentit.
Debati mbi gjendjen shëndetësore të Trump është rikthyer edhe nga sondazhe të publikuara gjatë muajve të fundit, ku një pjesë e amerikanëve kanë shprehur dyshime për aftësinë e tij fizike dhe mendore për të ushtruar detyrën. Ndërkohë, mbesa e tij, Mary L. Trump, në një intervistë të mëparshme ka ngritur shqetësime për gjendjen njohëse të presidentit, duke pretenduar se ai po përjeton një rënie të aftësive njohëse.


