Ish-Emiri i Katarit mbyll sytë në moshën 74-vjeçare, pas një epoke që e shndërroi vendin në një aktor global

Ish-Emiri i Katarit, Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Emirit (Amiri Diwan), institucioni më i lartë qeveritar i vendit.
Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani ishte një nga figurat më të rëndësishme në historinë moderne të Katarit.
Ai mori drejtimin e vendit në vitin 1995 dhe qëndroi në pushtet deri në vitin 2013, kur ia kaloi drejtimin e shtetit djalit të tij, emirit aktual, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Gjatë 18 viteve në krye të Katarit, vendi njohu një zhvillim të shpejtë ekonomik, i mbështetur në shfrytëzimin e rezervave të mëdha të gazit natyror. Në të njëjtën kohë, Katari forcoi rolin e tij në diplomaci, investime dhe media, duke rritur ndikimin në arenën ndërkombëtare.
Nën drejtimin e tij u hodhën edhe themelet e strategjisë "Vizioni Kombëtar i Katarit 2030", një plan afatgjatë që synon diversifikimin e ekonomisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Dorëzimi vullnetar i pushtetit në vitin 2013 u konsiderua një veprim i pazakontë për rajonin, ku transferime të tilla të drejtimit shtetëror ndodhin rrallë.
Deri tani, autoritetet e Katarit nuk kanë bërë publike shkaqet e vdekjes së ish-emirit, ndërsa ende nuk janë njoftuar detaje për ceremonitë zyrtare të zisë.
???? BREAKING: The Qatari Amiri Diwan announces the death of former Emir Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani https://t.co/ce67PiffEl pic.twitter.com/WUVbfZxKo2
— Arab News (@arabnews) July 12, 2026


