Rama ndan PAMJET me dron nga koncerti i Kanye West: Investim për imazhin e Shqipërisë dhe ekonominë e Tiranës
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook një videokartolinë nga koncerti i artistit amerikan Kanye West, i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Sipas tij, eventi pati ndikim pozitiv në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe në ekonominë e kryeqytetit.
Në postimin e tij, Rama e përshkruan koncertin si një "mbrëmje magjike", duke shkruar se në Tiranë u mblodhën qytetarë nga 80 kombësi të ndryshme.
Sipas kryeministrit, organizimi i koncertit përbën një investim të rëndësishëm jo vetëm për imazhin e Shqipërisë turistike, por edhe për ndikimin ekonomik që solli në kryeqytet.
"Dhe me videokartolinën e një mbrëmjeje magjike të Tiranës, ku dje 80 kombësi u bënë bashkë në koncertin kult të Kanye West, një investim i shkëlqyer jo thjesht për imazhin e Shqipërisë turistike, po edhe për impaktin pozitiv në ekonominë e kryeqytetit, ju uroj një të diel të bukur", shkruan Rama në postimin e tij.

