FOTO/ Punonjësi amerikan u infektua gjatë misionit humanitar në Kongo, CDC: Rreziku për SHBA mbetet i ulët

FOTO/ Punonjësi amerikan u infektua gjatë misionit humanitar në

Një shtetas amerikan, i angazhuar në një organizatë humanitare në Republikën Demokratike të Kongos, ka rezultuar pozitiv me llojin Bundibugyo të virusit Ebola. Autoritetet shëndetësore amerikane kanë nisur gjurmimin e kontakteve, ndërsa bëjnë të ditur se rreziku për publikun në Shtetet e Bashkuara mbetet i ulët.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan se po bashkëpunojnë me organizatën ku punonte pacienti, agjenci të tjera federale dhe autoritetet në Republikën Demokratike të Kongos për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të identifikuar personat që mund të kenë qenë në kontakt me të.

Sipas CDC-së, deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast i Ebolës në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet vlerësojnë se shpërthimi mbetet i kufizuar në zona të largëta të Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës fqinje, ndërsa mundësia e përhapjes së virusit në SHBA konsiderohet shumë e ulët.

Të dhënat e publikuara nga autoritetet kongoleze tregojnë se numri i rasteve të konfirmuara me Ebola ka arritur në 1.830, ndërsa 648 persona kanë humbur jetën.

Në muajin maj, edhe mjeku misionar amerikan Dr. Peter Stafford u infektua me Ebola gjatë punës së tij në Republikën Demokratike të Kongos. Ai u transferua për trajtim në Berlin, ku më pas u shërua.

Muajin e kaluar u raportua edhe rasti i parë i Ebolës jashtë Afrikës gjatë këtij shpërthimi, pasi një punonjës humanitar rezultoi pozitiv në Francë pas kthimit nga një mision në Republikën Demokratike të Kongos.

Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa përpjekjet për të frenuar përhapjen e virusit Bundibugyo në Afrikën Qendrore vazhdojnë.

FOTO/ Punonjësi amerikan u infektua gjatë misionit humanitar në

EMISIONET