Shtyhet takimi i parë SHBA-Iran në Gjenevë, tensionet në Liban ndikojnë procesin diplomatik!

Shtyhet takimi i parë SHBA-Iran në Gjenevë, tensionet në

Përpjekjet diplomatike për të çuar përpara marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hasur në vështirësi të reja, pasi është shtyrë kontakti i parë i planifikuar në Gjenevë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes palëve.

Sipas raportimeve të medias libaneze Al Mayadeen, delegacioni negociator iranian anuloi në momentet e fundit udhëtimin drejt Zvicrës për shkak të zhvillimeve të fundit në jug të Libanit dhe operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite në zonë.

Burime të cituara nga media bëjnë të ditur se delegacioni iranian ishte gati të merrte pjesë në raundin e parë të negociatave, i cili parashikohej të zgjaste 60 ditë, por vendosi të pezullojë udhëtimin duke argumentuar se situata e sigurisë në Liban ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e procesit diplomatik.

Sipas të njëjtave burime, Teherani kishte informuar më herët SHBA-në dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë se zhvillimet në Liban mbeten një element kyç në negociata. Autoritetet iraniane pretendojnë se veprimet ushtarake izraelite në jug të Libanit bien ndesh me parimet e përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit dhe marrëveshjen kornizë mes palëve.

Ndërkohë, vetëm pak orë pas vendimit të Iranit, edhe nënpresidenti amerikan, JD Vance, anuloi udhëtimin e planifikuar drejt Gjenevës. Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, vizita u shty për shkak të “çështjeve logjistike të pazgjidhura që lidhen me fazën e ardhshme të negociatave”.

Zhvillimi i fundit ngre pikëpyetje mbi ritmin e procesit diplomatik mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të ndikojnë në përpjekjet për avancimin e dialogut.

EMISIONET