Përmbyllet procesin automatik të fshirjes së gjobave tatimore, përfitojnë mbi 105 mijë tatimpagues

Administrata Tatimore përmbylli procesin automatik të fshirjes dhe shuarjes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara për kategoritë e përcaktuara në ligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Sipas DPT-së, nga ky proces kanë përfituar 105,409 tatimpagues, ndërsa vlera totale e detyrimeve të fshira dhe të shuara arrin në rreth 91,6 milionë euro.
Administrata Tatimore bën të ditur se 70,5 milionë euro i përkasin gjobave administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014 dhe me datë kontabilizimi deri më 31 dhjetor 2024. Nga kjo masë kanë përfituar 13,667 tatimpagues.
Ndërkohë, 21,1 milionë euro i përkasin gjobave të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzimin me vonesë të deklaratave tatimore, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024 dhe me datë kontabilizimi deri më 30 qershor 2026.
Sipas ligjit, përfitimi është aplikuar për rastet kur deklaratat përkatëse kanë statusin “e dorëzuar”. Në këtë kategori kanë përfituar 96,302 tatimpagues.
Sipas Administratës Tatimore, procesi është realizuar në përputhje me përcaktimet e ligjit, i cili parashikon përjashtimin nga përfitimi të tatimpaguesve të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për vepra penale në fushën e tatimeve dhe doganave.
Po ashtu, nuk janë përfshirë në procesin e fshirjes dhe shuarjes detyrimet tatimore për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.
Administrata Tatimore e konsideron këtë proces një hap të rëndësishëm në zbatimin e masave të parashikuara nga ligji nr. 86/2025, pas përfundimit të procesit të kompensimit automatik të tepricave kreditore me detyrimet tatimore të papaguara.
DPT rithekson angazhimin për zbatimin e plotë të dispozitave ligjore, duke garantuar transparencë, korrektësi dhe trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.


