SHBA-IRAN, BISEDIME DHE KËRCENIME / Trump: Do të vazhdojnë bisedimet, por armëpushimi ka marrë fund
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord të vazhdojnë kontaktet diplomatike, por theksoi se armëpushimi i arritur më herët nuk është më në fuqi. Deklarata vjen pas një jave përshkallëzimi në Gjirin Persik, me sulme ndaj anijeve tregtare dhe kundërpërgjigje ushtarake mes dy vendeve. Irani ka mohuar versionin e Uashingtonit për bisedimet, duke thënë se është angazhuar vetëm përmes ndërmjetësimit të Katarit.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijojnë të mbajnë të lartë shqetësimin ndërkombëtar, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaron se dy vendet do të vazhdojnë bisedimet, por pa një armëpushim aktiv.
Sipas Reuters, Trump tha se Irani kishte kërkuar vazhdimin e dialogut dhe se Uashingtoni kishte pranuar, por i kishte bërë të qartë Teheranit se armëpushimi i muajit të kaluar kishte përfunduar.
Deklarata e tij erdhi pas një jave tensionesh të reja, gjatë së cilës disa anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit u sulmuan. Këto incidente u pasuan nga goditje amerikane ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigje nga Teherani ndaj bazave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit.
Në një reagim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump tha se kontaktet me Iranin do të vazhdojnë, por paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për veprime ushtarake nëse rrezikohet siguria e tij personale.
Ai deklaroi se ushtria amerikane është në gatishmëri dhe se mijëra raketa janë të përgatitura për t’u përdorur në rast të një sulmi ndaj tij, duke paralajmëruar se Irani mund të përballet me pasoja të rënda.
Nga ana tjetër, Teherani ka mohuar se ka kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin. Sipas medias shtetërore iraniane, Irani ka pranuar vetëm ndërmjetësimin e Katarit për diskutime mbi uljen e tensioneve dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Administrata amerikane po kërkon nga Irani një garanci publike se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe se kjo rrugë detare do të mbetet e hapur për lundrim të lirë.
Pavarësisht deklaratave të ashpra, zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se kontaktet mes dy vendeve kanë qenë produktive gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se çdo shkelje e angazhimeve nga Shtetet e Bashkuara do të marrë një përgjigje reciproke.
Përshkallëzimi i situatës në Gjirin Persik ka ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, duke sjellë rritjen më të madhe javore të çmimit të naftës në tetë javët e fundit.

