“Nuk kemi më kohë” / Gjermania kërkon armë amerikane për t’u përballur me kërcënimin rus

Gjermania duhet të vazhdojë të blejë sisteme armatimi dhe avionë luftarakë nga Shtetet e Bashkuara për t’iu kundërvënë kërcënimit të Rusisë, pavarësisht përpjekjeve të Europës për të ndërtuar një industri të pavarur të mbrojtjes.
Paralajmërimi vjen nga shefi i forcave ajrore gjermane, gjenerallejtënant Holger Neumann, i cili në një intervistë për POLITICO theksoi se nevojat e sigurisë janë urgjente dhe Europa nuk ka kohë të presë zhvillimin e kapaciteteve të saj.
“Zhvillimi i aftësive tona kërkon kohë. Tani për tani, nuk kemi kohë”, deklaroi Neumann, duke shtuar se sistemet e gatshme në treg mund të jenë zgjidhja më e mirë për vitet e ardhshme.
Deklaratat vijnë në një moment kur Bashkimi Europian po përpiqet të rrisë prodhimin e armëve brenda bllokut dhe të ulë varësinë nga furnizuesit amerikanë. Megjithatë, zyrtarët gjermanë pranojnë se industria europiane ende nuk arrin ritmin teknologjik të SHBA-së në fusha kyçe të mbrojtjes.
Një nga shembujt kryesorë është avioni luftarak amerikan F-35 Lightning II, të cilin Berlini ka vendosur ta blejë për të zëvendësuar flotën e vjetër Tornado dhe për të përmbushur angazhimet e NATO-s në fushën e ndarjes së armëve bërthamore.
Gjermania ka miratuar blerjen e 35 avionëve F-35A me vlerë rreth 8.3 miliardë euro, ndërsa po shqyrton zgjerimin e flotës deri në 50 avionë.
Ndërkohë, planet europiane për zhvillimin e avionit luftarak të gjeneratës së gjashtë janë përballur me vështirësi pas mosmarrëveshjeve mes kompanive Airbus dhe Dassault për drejtimin dhe ndarjen e punës.
Në këtë situatë, Berlini kërkon një zgjidhje të ndërmjetme: të mbështetet te teknologjia amerikane për nevojat e menjëhershme, ndërsa Europa vazhdon ndërtimin e autonomisë së saj ushtarake në afat të gjatë./A2CNN



