I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, si u kap në Belgjikë Gerd “Gjenerali”

Pas shtatë vitesh në arrati, autoritetet belge kanë arrestuar në Antwerp shqiptarin Gerd Gjinarari, i njohur në botën e krimit me nofkën “Gjenerali”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.
Arrestimi u krye të enjten pranë Parkut të Qytetit në Antwerp nga ekipi FAST i Policisë Federale belge. Sipas mediave vendase, 52-vjeçari jetonte prej kohësh në qytet nën një identitet të rremë, duke iu shmangur autoriteteve shqiptare që prej vitit 2019.
Edhe pse emri i tij nuk është shumë i njohur në Belgjikë, në Shqipëri Gjinarari konsiderohet një nga autorët e vrasjes së Naim Zyberit, i njohur në vitet ’90 si një prej personazheve më të fuqishëm të botës së krimit në Tiranë.
Ngjarja daton në vitin 1997, në kulmin e përplasjes mes grupeve rivale kriminale shqiptare. Sipas mediave shqiptare dhe belge, Zyberi drejtonte një organizatë të përfshirë në zhvatje, trafik droge dhe aktivitete të tjera kriminale.
Në verën e atij viti, Zyberi dhe rivali i tij Arben Grori u përfshinë në një shkëmbim zjarri në Torino. Nga përplasja, Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në një spital në Milano, ku ruhej vazhdimisht nga policia.
Por masat e sigurisë nuk mjaftuan. Sipas dosjes së çështjes, Grori dhe Gjinarari hartuan një plan për eliminimin e tij. Të maskuar si familjarë të pacientit, ata hynë në spital me një buqetë lulesh, brenda së cilës kishin fshehur një pistoletë me silenciator.
Pasi iu afruan shtratit të Zyberit, e qëlluan për vdekje. Silenciatori bëri që policët e vendosur jashtë dhomës të mos dëgjonin të shtënat. Krimi u zbulua vetëm kur një infermiere hyri në dhomë dhe gjeti viktimën pa jetë.
Për këtë vrasje, Gjinarari dhe Grori u dënuan me burgim të përjetshëm nga drejtësia italiane në vitin 1999. Në vitin 2014, Gjinarari u transferua në Shqipëri për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Pesë vite më vonë, ai përfitoi lirim me kusht nga një gjykatë në Korçë, por vendimi u rrëzua më pas nga Apeli. Megjithatë, në momentin kur duhej të rikthehej në burg, ai u zhduk.
Që prej vitit 2019, Gjinarari ishte në kërkim ndërkombëtar me urdhër arresti të lëshuar nga Interpol. Hetimet çuan gjurmët e tij në Belgjikë, ku u zbulua se jetonte në Antwerp nën identitet të falsifikuar.
Pas arrestimit, 52-vjeçari u vu menjëherë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore belge për ekzekutimin e dënimit. Një gjykatës hetues në Turnhout ka vendosur ta mbajë në paraburgim, ndërsa procedurat ligjore për çështjen e tij vijojnë.
Ndërkohë, gjyqtari shqiptar që kishte vendosur lirimin e tij me kusht në vitin 2019 u përball më vonë me kritika të forta dhe u shkarkua nga detyra.
