BUKË, UJË DHE VAJ ULLIRI FALAS/ Nismë kombëtare për ta kthyer mikpritjen në simbol të turizmit shqiptar
Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare ka nisur një nismë kombëtare që çdo turist të pritet me bukë, ujë dhe, sipas mundësive, vaj ulliri falas, si simbol i mikpritjes tradicionale shqiptare. Nisma synon ta kthejë këtë traditë në standard të turizmit dhe të forcojë imazhin e Shqipërisë si destinacion mikpritës.
"Bukë, kripë e zemër" simbolizon mikpritjen tradicionale shqiptare.
Është shprehja me të cilën shqiptarët, ndër shekuj, u kanë hapur dyert e shtëpive miqve, duke përcjellë thënien: "Shtëpia është e Zotit dhe e mikut."
Kohët kanë ndryshuar, por miqtë që zgjedhin Shqipërinë për pushime po shtohen nga viti në vit, duke ardhur nga të katër anët e botës.
Për të ruajtur dhe promovuar traditën e mikpritjes, bujarisë dhe respektit, Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare ka nisur një iniciativë të re, që synon të shtrihet nga jugu në veri të vendit.
Nisma parashikon që në çdo tryezë të restoranteve dhe bujtinave të shërbehet falas bukë, një gotë ujë dhe, sipas mundësive, vaj ulliri shqiptar.
Nisma u prezantua në Piqeras të Himarës, ku kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare, Kujtim Dervishi, theksoi se nuk bëhet fjalë për krijimin e një tradite të re, por për rikthimin e një zakoni të hershëm, me synimin që çdo turist të ndihet si në një shtëpi shqiptare.
Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, mbështetës i kësaj nisme, e cilësoi atë të rëndësishme për forcimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
Ai u bëri thirrje restoranteve, bujtinave dhe bizneseve të shërbimit që t'i mirëpresin turistët me bukë, një gotë ujë dhe vaj ulliri falas, si një gjest simbolik që përfaqëson bujarinë dhe traditën shqiptare.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se suksesi i një destinacioni turistik nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me cilësinë e shërbimit, mikpritjen dhe ruajtjen e traditave lokale.
Përfaqësuesit e bujtinës "Panorama" në Piqeras, ku u prezantua nisma, e cilësuan këtë një vlerësim të veçantë për ta, në një kohë kur shënojnë 10-vjetorin e aktivitetit të nisur si një biznes familjar.
Në përfundim të aktivitetit u shpërndanë certifikata mirënjohjeje dhe medalje për bujtinën mikpritëse në Piqeras, në vlerësim të kontributit të saj në promovimin e mikpritjes tradicionale shqiptare dhe zhvillimin e turizmit.

