Dogji mbeturina në tokën e tij ndërsa flakët përfshinë pronën e fqinjit, arrestohet 57-vjeçari në Lushnjë

Dogji mbeturina në tokën e tij ndërsa flakët

Policia e Lushnjës ka arrestuar një 57-vjeçar, i dyshuar si autor i një zjarri që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në pronën e fqinjit të tij, në fshatin Lumth.

Sipas hetimeve paraprake, Ilirjan Kola kishte ndezur zjarr në tokën e tij për të djegur mbeturinat, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në parcelën ngjitur. Si pasojë e zjarrit u dogjën një zetor, një rimorkio dhe rezerva ushqimore për blegtorinë.

Pronari i tokës fqinje u përpoq të shuante flakët, por pësoi djegie. Ai u dërgua për trajtim në Spitalin e Lushnjës dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve hetimore, uniformat blu vunë në pranga 57-vjeçarin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Policia u ka bërë sërish thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, duke paralajmëruar se shkelësit do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

EMISIONET