Paketa e Maleve, miratohen zonat prioritare në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”.
Në njoftim thuhet se “vendimet e KM synojnë nxitjen e investimeve dhe zhvillimit të aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike në zonat malore, duke krijuar mundësi të reja për ekonomitë lokale dhe komunitetet që jetojnë në këto territore”.
Në bashkinë Fushë-Arrëz, Qarku Shkodër, janë shpallur shtatë zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, me një sipërfaqe totale prej rreth 19 188 hektarësh.
Zonat përfshijnë fshatrat Blerim, Trun, Qebik dhe Dardhë; Fierzë, Kokdodë dhe Aprip-Guri; Porav, Arst dhe Mëzi; Fushë-Arrëz, Miçaj, Lumbardhë dhe Tuç; Iballë dhe Berishë e Sipërme; fshatin Mërtur, si edhe Kryezi, Qafë-Mali dhe Lajthizë.
Ndërkohë, në bashkinë Përrenjas, qarku Elbasan janë shpallur gjashtë zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore, me një sipërfaqe totale prej rreth 6 562 hektarësh.
Këto zona përfshijnë fshatrat Shqiponjë dhe Stravaj, Qukës Skënderbej, Bërzeshtë, Fanjë, Dritaj, Farret dhe Stranik; Skroskë dhe Pishkash; fshatin Sutaj; fshatin Sopot, si edhe zonën që përfshin Qukës Shkumbin, Qukës Skënderbej, Gurrë, Karkavec, Bërzeshtë, Fanjë dhe Dritaj.
Sipas vendimeve, shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së zonave do të përcaktohen në hartat treguese sipas sistemit të kornizës referuese gjeodezike shqiptare (KRGJSH), të cilat i bashkëlidhen akteve përkatëse.
Në këto territore parashikohet zhvillimi i aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike.
Për zbatimin e vendimeve ngarkohen ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si edhe bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas.
Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

