Irani: Negociatat aktuale me SHBA-në ndryshojnë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015

Irani: Negociatat aktuale me SHBA-në ndryshojnë nga marrëveshja

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi sot se, qasja e Teheranit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përbën një “diplomaci të forcës”, duke theksuar se bisedimet aktuale ndryshojnë thelbësisht nga negociatat bërthamore të Vjenës të vitit 2015.

Kryenegociatori Ghalibaf tha për transmetuesin shtetëror IRIB, se Irani po hyn në këto bisedime nga një pozicion force, të cilin ai e lidh me atë që, i cilësoi si suksese të fundit ushtarake.

Marrëveshja e vitit 2015, e arritur në Vjenë mes Iranit, anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, synonte të parandalonte Teheranin nga zhvillimi i kapaciteteve të armëve bërthamore.

Udhëheqësi suprem i atëhershëm i Iranit, Ali Khamenei, mbështeti në atë kohë atë që e quajti “fleksibilitet heroik” në negociata, ndërsa mbështetësit e vijës së ashpër – e kritikuan marrëveshjen si komprometuese.

SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, duke rivendosur sanksione që thelluan krizën ekonomike të Iranit.

Ghalibaf tha se, në bisedimet aktuale nuk ka vend për “retorikë boshe”, lëshime apo kompromise, duke i përshkruar ato si një formë “rezistence”.

Sipas tij, fitoret ushtarake të Iranit janë njohur si nga aleatët ashtu edhe nga kundërshtarët.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi dje në mbrëmje, tekstin e marrëveshjes kornizë, e cila në përgjithësi përputhet me versionet e qarkulluara në mediet perëndimore.

EMISIONET