Udhëheqësit e BE-së diskutojnë Ukrainën, buxhetin dhe sfidat globale

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të mblidhen sot në mbrëmje, në Bruksel për një samit dyditor, ku do të diskutojnë mbështetjen për Ukrainën, buxhetin afatgjatë të BE-së dhe sfidat ekonomike globale.
Takimi pritet të nisë me një pritje për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili rikthehet në Bruksel, për herë të parë, që prej largimit nga skena politike, të një prej kundërshtarëve të tij më të fortë brenda BE-së, ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili humbi në zgjedhjet e këtij viti.
Ukraina ka përfituar një ndihmë të re nga BE-ja, pasi Budapesti hoqi veton ndaj disa nismave, që përfshijnë hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Kievin.
Në aspektin ekonomik, liderët pritet të trajtojnë sfida të rëndësishme të bllokut, përfshirë rënien e konkurrueshmërisë dhe marrëdhëniet e vështira tregtare me Kinën.
Vëmendja do të zhvendoset nesër te buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së, për periudhën 2028–2034, i cili parashikohet të jetë midis 1 dhe 2 trilionë eurove.
Udhëheqësit përballen me sfidën e financimit të nevojave, gjithnjë në rritje për investime, në një kohë kur shumë vende anëtare, kanë buxhete të kufizuara, pas viteve të krizave të njëpasnjëshme.
Shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian janë nën presion, për të arritur një marrëveshje deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të sigurohet koha e nevojshme për zbatimin e buxhetit.
Liderët e BE-së pritet gjithashtu të diskutojnë situatën në Lindjen e Mesme, pasi ndërmjetësi, Pakistani, njoftoi se një marrëveshje paraprake SHBA-Iran ka hyrë në fuqi.


