Fundi i tolerancës në Francë / Ligji i ri francez që kthen prangat në makth të përjetshëm për ab*zuesit e të miturve

Qeveria franceze ka ndërmarrë një hap vendimtar dhe ekstremisht të rreptë në legjislacionin për mbrojtjen e të miturve. Kryeministri i Francës, Sébastien Lecourny, konfirmoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar zyrtarisht një paketë amendamentesh ligjore që parashikojnë dënimin me burgim të përjetshëm për abuzuesit seksualë të fëmijëve.
Ky reagim i ashpër institucional vjen më pak se një muaj pas një ngjarjeje që tronditi opinionin publik, përdhunimit dhe vrasjes makabre të 11-vjeçares Liana.
Ndryshimet e reja ligjore synojnë të reformojnë rrënjësisht sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë rreth fëmijëve, duke vendosur si fillim një afat kohor maksimal prej vetëm tre muajsh për përfundimin e të gjitha veprimeve hetimore dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve për krime seksuale ndaj të miturve.
Paralelisht me nxitimin e procedurave, ligji i ri rrit dënimin në burgim të përjetshëm për përdhunuesit serialë të fëmijëve nën moshën 15 vjeç, si dhe godet mundësinë e lirimit të tyre të parakohshëm duke rishikuar parimin e automatizmit që ekzistonte deri më sot.
Përveç sanksioneve të rrepta penale, paketa qeveritare fokusohet fort te parandalimi dhe transparenca. Shteti francez do të forcojë maksimalisht kontrollet e të dhënave dhe të kaluarës kriminale për të gjithë personat që punojnë në institucionet edukative dhe veçanërisht në aktivitetet jashtëshkollore.
Përmes këtyre masave, kryeministri Lecourny synon të garantojë që prindërit të jenë plotësisht të informuar mbi identitetin e personave që mbikëqyrin fëmijët e tyre para dhe pas orarit të shkollës. Ky draft, i cili përbën grupin e dytë të ndryshimeve të thella në ligjin e mbrojtjes së fëmijëve, do të dërgohet për diskutim në Asamblenë Kombëtare më 15 korrik, ku kreu i qeverisë u ka bërë thirrje deputetëve për një miratim të shpejtë dhe efikas.



