Malota: Gjermania zhgënjeu, Anglia mbetet favorite, Spanja kalon Austrinë!
Drejtori sportiv i Besëlidhjes, Renato Malota, ka analizuar ecurinë e deritanishme të Botërorit në një intervistë për emisionin “Sport Fokus” në “Ora News”, duke u ndalur te surprizat e turneut, ekipet pretendente dhe përballjet më të rëndësishme të fazës me eliminim direkt.
Sipas Malotës, ky Botëror po rezulton mjaft interesant, pasi skuadra që nuk konsideroheshin favorite kanë arritur të befasojnë ekipet e mëdha.
“Po shohim një Botëror interesant, me shumë surpriza. Nuk kam mundur t’i ndjek të gjitha ndeshjet për shkak të orareve, por niveli i garës ka qenë i lartë dhe ekipet e vogla kanë treguar se mund të rivalizojnë me këdo,” u shpreh ai.
Malota nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin e Gjermanisë, skuadrës që ai mbështeste në këtë turne.
“Prisja një Gjermani me disiplinë, karakter dhe grintë sportive, siç jemi mësuar ta shohim ndër vite. Këtë herë dukej sikur kishte ardhur në Botëror për pushime. Mbeta i zhgënjyer,” deklaroi ai.
Një tjetër surprizë për drejtorin sportiv të Besëlidhjes ishte eliminimi i Holandës ndaj Marokut.
“Holanda kishte një kontingjent shumë cilësor dhe mendoja se do ta kalonte këtë fazë. Maroku është një ekip shumë i fortë dhe e meritoi, por prisja më shumë nga holandezët,” tha Malota.
Duke analizuar Anglinë, ai theksoi se “Tre Luanët” mbeten ndër pretendentët kryesorë për trofeun, pavarësisht vështirësive që hasën ndaj Kongos.
“Kur ke lojtarë si Harry Kane, Jude Bellingham dhe të tjerë, është normale që skuadra të reagojë edhe në momentet e vështira. Anglia fitoi me meritë dhe vazhdon të jetë një nga favoritët për Botërorin,” u shpreh ai.
Sa i përket sfidës së ardhshme mes Anglisë dhe Meksikës, Malota parashikon një duel të balancuar, duke qenë se ndeshja do të zhvillohet në Meksikë.
“Meksika në shtëpi merr një shtysë të madhe nga tifozët. Është një skuadër që luan mirë si grup dhe ka futbollistë cilësorë. Anglia do ta ketë shumë të vështirë dhe besoj se episodet do të vendosin fituesin,” theksoi ai.
Malota komentoi edhe suksesin dramatik të Belgjikës ndaj Senegalit, duke e cilësuar sfidën si një nga më spektakolaret e turneut.
“Senegali ishte në avantazh deri në minutën e 86-të dhe po luante shumë mirë. Belgjika reagoi falë ndryshimeve të trajnerit dhe arriti ta përmbyste rezultatin në shtesë. Megjithatë, nuk e shoh Belgjikën si pretendente për të fituar Botërorin,” deklaroi ai.
Në fund, drejtori sportiv i Besëlidhjes u ndal edhe te sfida mes Spanjës dhe Austrisë, ku shprehu bindjen se iberikët janë favoritët absolutë.
“Spanja ka lojtarë të nivelit botëror dhe është një nga skuadrat pretendente për trofeun. Mendoj se është favorite e qartë për të fituar ndaj Austrisë, edhe pse përballja pritet të jetë e fortë,” përfundoi Renato Malota.
SHBA, Belgjikë, Renato Malota, drejtor sportiv i besëlidhjes , në një intervistë PËR “Sport Fokus” në “Ora News”
Renato Malota: Botëror interesant, duke parë siç e the edhe vetë, duke parë që disa ekipe të vogla po bëjnë surprizë. Normalisht e kam ndjekur, jo të gjitha ndeshjet, duke parë dhe këtë orarin që është jo i përshtatshëm me oraret që jemi ne, por jam munduar domethënë ta ndjek dhe deri tani duket një botëror interesant.
Ekipi im, është nisur me sa di unë për Gjermani, është Gjermania. Po, me thënë të drejtën ato sikur këtë botëror sikur kishin shkuar për pushime sepse nuk është treguar gjë, nuk ishte ajo Gjermania që ne jemi mësuar ta shohim gjithmonë me disiplinë, me karakter, me grintë sportive. Nuk e di domethënë, kam ngelur i zhgënjyer, por futbolli i ka këto, kështu që duhet të bëjmë tifo për ndonjë ekip tjetër tani. Të them të drejtën edhe Holanda, deri diku ishte surprizë.
Por normalisht ishte kundër një ekipi si Maroku, është një ekip që ka bërë mirë. Në Afrikë mund të jetë një ndër ekipet më të mira që ka yje në ekip si Hakimi apo të tjerë. Por mendoja që Holanda, ekip i madh, me emër të madh, me lojtarë dhe me kontigjent shumë të mirë, mendoja që do ta kalonte këtë, por ja që kështu është futbolli, nuk ndodhi.
Të them të drejtën, e pa filluar kampionati, për mendimin tim kanë qenë një nga ekipet pretendente për ta fituar këtë botëror. Nuk është se po bëjnë keq deri në këtë moment që po flasim, po bëjnë mirë, por dje hasën një çikë vështirësi pasi kishin një ekip që mbrohej mjaft mirë mbrapa, si Kongoja.
Gjithashtu edhe me golin e pësuar u vunë dhe pak në presion, por normalisht kur ke yje në ekip si Harry Kane apo Bellingham e të tjerë, është më se normale që atë do e kthejnë domethënë ndeshjen, dhe fituan me meritë. Duke parë atë se çfarë ka përcaktuar në fakt dhe shorti, shohim që do të përballet, pra Anglia me Meksikën.
Një kombëtare e cila nuk ka regjistruar deri më tani asnjë humbje. A mendoni që ky do të jetë rasti që do ta çojë dhe Meksikën në shtëpi? Do jetë një ndeshje interesante sepse me sa di unë ndeshja do luhet në Meksikë. Ndeshja kur luhet në shtëpi tek tifozët tuaj normalisht që ti jep 200% dhe mendoj që do jetë një ndeshje e barabartë dhe episodet do ta ndajnë këtë ndeshje.
Sepse Meksika, të them të drejtën është një ekip që luan në grup, luan shumë mirë, ka elementë cilësorë dhe këto janë domethënë disa nga faktorët që besoj që Anglia do ta ketë të vështirë këtë ndeshje. Do të maten mirë.
Të them të drejtën ishte një ndeshje e çmendur mbrëmë e Belgjikës me Senegalin, sepse deri në fund, deri në minutën e 86-të Senegali po fitonte dhe realisht po luante mirë. Por ky është futbolli, prandaj është një nga sportet më të bukura dhe më të ndjekura në botë. Belgjika arriti, domethënë normalisht dhe me zëvendësimet që trajneri bëri në pjesën e dytë, arriti që të barazonte dhe me meritë në fund, edhe pse në shtesë, ta kthente domethënë dhe ta fitonte.
Nuk e di, nuk e shoh si pretendent, nuk e shoh si ekip pretendent për të fituar Botërorin, por të shohim në vazhdim. Mendoj që po, sepse Spanja dihet ka yje botërorë në ekip, është një nga ekipet pretendente për ta fituar këtë ndeshje dhe mendoj që janë favorit absolut sonte për të fituar kundra Austrisë.
Nuk e mendoj kurrë. Kjo është ndeshje, të them të drejtën, ndeshje e fortë, sepse të dy ekipet para se të fillonte Botërori kanë qenë, kanë pasur pritshmëri të mëdha.

