Zbulohet skandali/ Ushtarët pajisën me jelekë shpëtimi trafikantët e 55 sirianëve, ndihmuan skafistët të iknin

Efektivë të Ushtrisë Shqiptare, kanë pajisur me jelekë shpëtimi trafikantët e Vlorës, që tentuan të transportojnë në rrugë detare nga Shqipëria drejt italisë, 55 klandestinë Sirianë, iranianë dhe egjiptianë.

Skandali ka ndodhur pikërisht në repartin e Rojes Bregdetare të Flotës Detare në Vlorë, pasi në datën 8 janar 2021, Roja Bregdetare, u përfshi në një operacion detar për shpëtimin nga mbytja të një gomoneje, të ngarkuar me klandestinë.

“Ora News”, zbardh ekskluzivisht këtë skandal, ku mëngjesin e sotëm çoi në arrestimin e 5 anëtarëve të ekuipazhit të anijes ushtarake “P-116”, Sejfulla Beja, Bledar Bufaj, Roland Cani, Ardit Alikaj, dhe Besmir Meçe.

Dy trafikantëve nga Vlora, Emiljano Likaj, tashmë i arrestuar dhe një tjetër ende në kërkim, jo vetëm që i është dhënë jelekë shpëtimi nga ekuipazhi i anijes ushtarake, por para se ata të largoheshin, ata kanë qëndruar në kabinën e drejtimit të anijes, dhe kanë biseduar në telefon me anëtarët e familjes së tyre.

Këto biseda telefonike janë kryer rreth orës 23:48 të datës 8 janar 2021, duke përdorur telefonin celular të anijes Ushtarake.

Këto fakte tronditëse kanë dalë gjatë hetimit të kryer nga policia dhe prokuroria e Vlorës, e cila pas pesë muaj verifikime, tashmë ka çuar për ndjekje penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pesë efektivët e Flotës Detare që shërbenin në anijen ushtarake P-116.”Bora”.

Në dokumentacionin që “Ora News” siguron thuhet se:”…në deklarimet e emigrantëve është treguar se bashkë me ta në bordin e anijes së shpëtimit, kanë hipur dhe dy shtetas shqiptarë që drejtonin gomonen. Dy shqiptarët janë futur në kabinën e drejtimit të anijes nga ana e personelit ushtarak.

Pasi janë afruar rreth 100 metra pranë bregut apo rreth pesë minuta përpara se të ankoroheshin në kalatë, dy trafikantët shqiptarë që drejtonin gomonen e mbytur, i janë dhënë jelekë shpëtimi me ngjyrë portokalli dhe janë lënë të lirë, duke u hedhur në det për ti shpëtuar arrestimit nga policia…”.

Në fakt policia kufitare dhe ajo kriminale ishte njoftuar për këtë situatë dhe ishte në pritje në kalatën e Triportit, për tu njohur më nga afër me situatën.

Skafistet iken me not

Por kur anija e Flotë Detare është ankoruar në kalatë, aty kanë zbritur vetëm 55 klandestinët dhe jo dy trafikantët. Ushtarakët e anijes, treguan se dy personat ishin hedhur nga anija duke u larguar me not.

Në këtë dokument thuhet se:”…Raporti për situatën Operacionale të datës 8 janar 2021, i Qëndrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, ku në përshkrimin e situatës shënohet shprehimisht “…ju kërkua Komandantit të anijes P-116, që në mënyrë të veçantë të mbajë në mbikqyrje drejtuesit e gomones…”.

Por me sa duket ky urdhër nuk ka vlejtur për komandantin dhe ekuipazhin e anijes ushtarake P-116. Hetimi ka zbuluar se në orën 23:48 të datën 8 janar 2021, nga numri i anijes, është telefonuar drejt një numri tjetër, që përdoret nga Mimoza Gaçaj, nëna e skafistit Emiljano Likaj, i cili ndodhej në bordin e anijes P-116.

Gjithashtu në rubrikën e fotove të këtij telefoni, është gjetur një foto e numrit të shtetases Mimoza Gaçaj, e bërë Screenshot.

Në pyetje është marrë Sejfulla Beja, i cili ka pohuar në dëshminë e tij se nuk e ka telefonuar këtë numër, nuk e njeh fare si numër dhe se telefoni i tij është me kod dhe s’mund të hapet nga person tjetër.

Ndërkohë nga kçyrja e telefonit të Bernardo Veraj, thuhet në dokument në datën 9 janar 2021 në orën 06:33 ka shkuar një sms me thirje të humbura, të cilat konfirmojnë dy thirje nga numri i telefonit të marinarit Sejfulla Beja.

Gjithashtu me numrin e Sejfulla Bejës, është telefonuar në orën 23:48 të 8 janarit, shtetësja Silva Gaçaj, motra e drejtuesit të gomones, Emiljano Likaj.

5 muaj hetime
Policisë e prokurorisë së Vlorës iu deshën 5 muaj hetime për të zbadhur plotësisht tentativën e trafikut dhe ka bindur Gjykatën duke marrë një masë sigurie për rojet bregdetare. Të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, dhe të akuzuar për strehimin e emigrantëve janë tashmë në qeli 31-vjeçari nga Vlora Qazim Ismailaj dhe Fatos Tusha nga Tirana.

Për të arritur në brigjet e vendit fqinj, klandestinët, sipas burimeve, paguanin nga 4 deri në 5 mijë euro, ndërsa në ndihmë të kësaj veprimtarie ishte krijuar edhe një infrastrukturë e plotë.

 

EMISIONET