Zbulohet skema/ Trekëndëshi: Bashkia e Tiranës - “Kuadr.com” - Arbër Veliaj

Zbulohet skema/ Trekëndëshi: Bashkia e Tiranës -

CNA ka nisur një tjetër investigim që mund të çojë drejt zbulimit të një skandali në Bashkinë e Tiranës.

Prej rreth 6 muajsh, CNA i është drejtuar me një sërë shkresash bashkisë së kryeqytetit ku kërkon informacion për sipërfaqet publike të dhëna për shfrytëzim për evente në sheshet kryesore të Tiranës për vitet 2022, 2023, 2024, 2025, kontratat e reklamave dhe të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës.

Prej muajsh, Bashkia e Tiranës refuzon të japë të dhënat që kërkon CNA, duke mashtruar edhe intitucionet se për shkak të një sulmi kibernetik shumica e të dhënave nuk janë të rikuperueshme.

Pra, bashkia ka humbur dokumente zyrtare, një tjetër krim ky.

Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës i thanë CNA-së se dosjet dhe informacionet që kërkon CNA ndodhen në Bashkinë e Tiranës, pasi ekzistojnë kontratat dhe pagesat e kryera.

Në bashki ekziston çdo dokument në kopje fizike, të sipërfaqeve publike dhe kontratave të reklamave të viteve 2022, 2023, 2024, 2025.

Të njëjtat burime theksuan se këto materiale janë kopjuar dhe po hetohen nga SPAK-u.

CNA i ka shkuar më tej investigimit, për të hedhur dritë mbi abuzimet që janë kryer me kontratat e dhëna nga Bashkia e Tiranës për kompanitë që organizojnë evente të ndryshme në sheshet kryesore të kryeqytetit, të cilat dyshohet se përdorin një sipërfaqe më të madhe sesa e përcakton kontrata nga Bashkia e Tiranës.

CNA zbuloi një nga kompanitë që ka marrë sipërfaqet publike nga Bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për kompaninë “Kuadr.com”, kompani që merret me evente të mëdha në Shqipëri.

Sipas të dhënave në QKB, kjo kompani ka administrator dhe aksioner Aleksandër Çifligun.

Kjo kompani është krijuar në 2017 dhe në 6 vite ka realizuar 300 projekte, periudhë gjatë së cilës kryetar i Bashkisë së Tiranës ka qenë Erion Veliaj.

Të themi se në sheshin “Skënderbej”, Bashkia e Tiranës i ka dhënë kompanisë "Kuadr.com" një sipërfaqe prej 5 metrash katrorë reklamë, kjo kompani ka një kontratë me Bashkinë e Tiranës për një sipërfaqe të tillë, por, në fakt, në realitet ndodh e kundërta.

Sipas investigimeve që ka bërë CNA, sipërfaqet e dhëna me qira nga Bashkia e Tiranës në kontrata janë më të vogla se sipërfaqet e tyre në realitet. Me fshehjen e të dhënave dhe informacioneve nga Bashkia e Tiranës pas kërkesave të CNA-së, dyshohet se kemi të bëjmë me abuzime të mëdha.

Për më tepër, ka edhe detaje të tjera që tregojnë se ka një lidhje midis një trekëndëshi që lidh Bashkinë e Tiranës me kompaninë që shfrytëzon sipërfaqet dhe kompaninë reklamuese.

Tentakulat shkojnë përtej "Kuadr.com" dhe mbërrijnë deri te vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, Arbër Veliaj, me kompaninë e tij "Gogel" që operon në fushën e reklamave, e cila është në hetim nga SPAK-u.

Një kompani që u rrit në mënyrë të shpejtë duke xhiruar miliona pas ardhjes së Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.

Brenda këtyre sipërfaqeve që merren për zhvillimin e eventeve shfaqen edhe reklamat e kompanisë së Arbër Veliajt.

Pra, “Kuadr.com” i merr nga Bashkia Tiranë dhe në sipërfaqet e reklamave shfaqen klientët e Arbër Veliajt. Vetëm se bashkia mbledh të ardhura shumë herë më të ulëta sesa sipërfaqet ku vendosen këto reklama. Merren 5 m2 me qira, ndërsa faktikisht sipërfaqet e reklamave janë qindra metra katrorë.

CNA ka siguruar të dhëna se Shoqëria “Kuadr.com” ka qenë vetë kontraktuese direkt me kompanitë reklamuese si ONE, Vodafone apo kompani të tjera.

Më pas, këto reklama kalojnë nga Arbër Veliaj dhe jo direkt nga kompania “Kuadr.com”, pra midis bashkisë dhe kompanisë që merr sipërfaqet me qira hyn vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Arbër Veliaj.

Ndërkohë që CNA-së nuk i jepen të dhënat mbi kërkesat prej 6 muajsh, në Bashkinë e Tiranës zullumet nuk ndalen dhe zyrtarët duket se po fshehin një aferë.

Ajo që rezulton nga investigimi i CNA-së është se shumicën e shesheve kryesore në kryeqytet i ka marrë në administrim Shoqëria “Kuadr.com” për evente të ndryshme.

“Kuadr.com” është lidhur ngushtë me Arbër Veliajn, vëllain e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

“Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”. Kemi një skemë, ku Bashkia e Tiranës i jep kontratën “Kuadr.com” duke i përcaktuar sipërfaqet minimale që duhet të shfrytëzojë, “Kuadr.com” shfrytëzon sipërfaqe shumë herë më të mëdha sesa shkruhet në kontratë apo paguan si detyrim, si rrjedhojë më pak taksa bashkisë. Më pas këto sipërfaqe disa herë më të mëdha sesa kontratra me Bashkinë e Tiranës, i vihen në dispozicion Arbër Veliajt për të reklamuar klientët që menaxhon.

Skema është e qartë, Erion Veliaj jep kontrata për reklamat, “Kuadr.com” merr sipërfaqet më të mëdha seç ia përcakton kontrata, Arbër Veliaj reklamon klientët. Nga Erioni tek Arbri me "Kuadr.com" në mes që krijon një trekëndësh ku përfituesi kryesor është vëllai i kryebashkiakut dhe shoqëria menaxhuese.

Buxheti i bashkisë humb dhjetëra miliona lekë nga të ardhurat që duhet të siguronte prej shfrytëzimit të sipërfaqeve të reklamave. Askush nga zyra e taksave apo policia bashkiake që kanë për detyrë të monitorojnë zbatimin e kontratave në terren nuk ka parë asgjë. Dhjetëra zyrtarë të përfshirë në shpërdorim detyre dhe abuzim me taksat e qytetarëve të Tiranës./ CNA

EMISIONET