Pse një marrëveshje po avancon në Parlamentin italian, ndërsa në Shqipëri mungon informacioni dhe debati

Para se të merret në shqyrtim nga Parlamenti shqiptar, marrëveshja e re strategjike mes Italisë dhe Shqipërisë ka hyrë tashmë në fazën e avancuar të ratifikimit në Parlamentin italian.
Projektligji C.2788, i paraqitur nga qeveria Meloni, ka përfunduar shqyrtimin në komisionet parlamentare dhe ka kaluar me opinione pozitive, ndërsa tashmë ka hyrë në fazën e diskutimit në seancë plenare.
Ndërkohë, në Shqipëri nuk ka pasur ende asnjë debat publik, transparencë institucionale apo analizë zyrtare mbi pasojat ekonomike, financiare dhe strategjike që kjo marrëveshje mund të sjellë për vendin.
Kjo situatë paraqet një paradoks, pasi dokumenti nuk është një marrëveshje e zakonshme bashkëpunimi. Ai përfshin pothuajse të gjithë sektorët strategjikë të shtetit shqiptar: energjinë, mbrojtjen, industrinë ushtarake, migracionin, infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin, kërkimin shkencor, teknologjinë, diasporën, bujqësinë, turizmin dhe transformimin ekonomik.
Në leximin e parë, teksti paraqitet si një partneritet mes dy vendeve. Por një analizë ekonomike dhe strategjike e dokumentit ngre një sërë pikëpyetjesh që nuk marrin përgjigje në asnjë pjesë të marrëveshjes.
Në fakt, asimetria mes Italisë dhe Shqipërisë është e dukshme. Italia hyn në këtë marrëveshje si një vend i madh, me kapacitete financiare, teknologjike dhe ushtarake, ndërsa Shqipëria ofron territorin, tregun, burimet natyrore dhe sektorët ku do të zhvillohet bashkëpunimi.
Një nga elementët më delikatë është energjia. Marrëveshja parashikon bashkëpunim në energjinë e rinovueshme, rrjetet elektrike, hidrogjenin, magazinimin e energjisë, gazin, naftën dhe lëndët e para kritike.
Në të gjithë tekstin vihet theksi mbi promovimin e investimeve, teknologjisë dhe ekspertizës italiane për zhvillimin e infrastrukturës energjetike shqiptare. Megjithatë, nuk ekziston asnjë klauzolë që garanton pjesëmarrje minimale të kompanive shqiptare, transferim të detyrueshëm të teknologjisë apo ruajtjen e kontrollit kombëtar mbi asetet strategjike.
Edhe më i ndjeshëm është kapitulli për lëndët e para. Marrëveshja parashikon bashkëpunim për eksplorimin, përpunimin dhe integrimin e tyre në zinxhirët evropianë të furnizimit.
Shqipëria zotëron rezerva të konsiderueshme kromi, bakri, nikeli dhe mineralesh të tjera strategjike, të cilat në dekadën e fundit kanë fituar rëndësi të jashtëzakonshme për industrinë evropiane të baterive, teknologjisë dhe mbrojtjes.
Por marrëveshja nuk parashikon mekanizma që garantojnë se përpunimi me vlerë të shtuar do të kryhet në Shqipëri, se fitimet do të mbeten në ekonominë shqiptare apo se shteti shqiptar do të ruajë kontrollin mbi këto pasuri strategjike.


