Nga Miss USA te ikona e Hollywood-it/ Laura Harring vazhdon të mahnisë edhe në moshën 62-vjeçare

Laura Harring, aktorja e njohur për rolin e Rita/Camilla Rhodes në filmin kult “Mulholland Drive”, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes edhe pas më shumë se tri dekadash në industrinë e filmit.
Ish-Miss USA, e cila u bë një nga figurat më të spikatura të kinemasë falë interpretimit përkrah Naomi Watts në filmin e vitit 2001, është vlerësuar ndër vite për talentin dhe elegancën e saj.
Përveç suksesit në “Mulholland Drive”, Harring ka luajtur në projekte të njohura si “John Q”, “The Punisher”, “Willard” dhe “Love in the Time of Cholera”, ndërsa ka pasur role edhe në seriale televizive si “General Hospital” dhe “The Shield”.
Aktorja me origjinë meksikane njoftoi tërheqjen nga aktrimi në vitin 2024, duke mbyllur një karrierë mbi 30-vjeçare në Hollywood.
Jeta e saj ka qenë po aq e veçantë sa karriera. Në vitin 1985 ajo u shpall Miss USA, duke u bërë gruaja e parë me origjinë hispanike që fitoi këtë titull. Harring ka rrëfyer gjithashtu se në moshën 12-vjeçare i mbijetoi një sulmi me armë zjarri, një ngjarje që ndikoi thellë në jetën e saj.
Sot, Laura Harring mbetet një nga figurat më të kujtuara të kinemasë moderne, falë rolit ikonik që e bëri të njohur në mbarë botën.


