Rinas në kulmin e sezonit turistik/ Aeroporti përgatitet për fluks rekord, deri në 56 mijë pasagjerë në ditë

Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përballet me një fluks të lartë udhëtarësh gjatë sezonit turistik, ndërsa Policia e Shtetit dhe strukturat doganore kanë shtuar masat për të garantuar përpunim më të shpejtë dhe të sigurt të pasagjerëve.

Përballë rritjes së numrit të hyrjeve dhe daljeve nga vendi, autoritetet kanë vendosur masa të shtuara operative, përdorim më të gjerë të teknologjisë dhe koordinim mes strukturave për të shmangur vonesat dhe për të ruajtur sigurinë në aeroport.

Sipas të dhënave të bëra publike, kapaciteti i përpunimit arrin deri në 56 mijë pasagjerë në ditë gjatë periudhës së fluksit maksimal turistik.

Masat synojnë që udhëtarët të marrin shërbime më të shpejta në kontrollet kufitare dhe procedurat doganore.

Krahas menaxhimit të fluksit, kontrollet janë përqendruar edhe në parandalimin e veprimtarive kriminale ndërkufitare, kontrabandës, trafikimit të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Doganave vijon në ambientet e aeroportit për të garantuar lëvizje të sigurt të qytetarëve dhe turistëve gjatë muajve më të ngarkuar të sezonit veror.

EMISIONET