27 sera drogë “pa Zot”, lirohet nga Gjykata e Shkodrës Nesti Delaj alias Ernest Veshtaj
Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lërë në arrest në shtëpie Nesti Delaj alias Ernest Veshtaj, i cili u arrestua të mërkurën si autor i mbjelljes së 8 mijë rrënjëve me kanabis në Koplik të Shkodrës.
Gjykata nuk është bindur nga prokuroria se Veshtaj është autor i këtij akti, ndërsa tanimë sasia rekord e zbuluar në Shkodër mbetet pa një autor.
27 serat me 8 mijë rrënja kanabis që u zbuluan në zonën e Koplikut të Shkodrës mbetën pa një autor, pasi gjykata nuk u bind të premten se i gjithë krateri ishte projektuar dhe zbatuar nga Nesti Delaj alias Ernest Veshtaj.
Në seancën për masën e sigurisë të premten, Veshaj i njohur edhe me mbiemrin Delaj ka mohuar çdo lidhje me kanabisin, ndërsa prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Por pasi dëgjoi organin e akuzës dhe të akuzuarin gjykata vendosi se në këtë pikë nuk ka prova të mjaftueshme përtej dyshimit të arsyeshëm se Nesti Delaj alias Ernest Veshtaj duhet të qëndrojë në burg.
Trupa gjykuese vendosi që ai të hetohet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sasia rekord e gjetur në Koplik me 29 mars, në këtë pikë të hetimeve është kultivur nga një person ende i paidentifikuar.
Parcela me kanabis ishte vendosur në një gropë të madhe të hapur në formë krateri në vendine quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik.
20 metra në thellësi të këtij krateri u evidentuan 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë, që ishin gati për tu dërguar për mbjellje në vende të tjera.
Në vijim të hetimeve, policia ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gjovalin Gjekaj, 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe, Roland Gjekaj, 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe Arben Hysaj, 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe.