Përshkallëzohet konflikti SHBA–Iran/ Pentagoni: Gati 100 ushtarë amerikanë të plag*sur në dy javë

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, teksa Pentagoni ka bërë të ditur se gati 100 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga 7 korriku, kryesisht me lëndime të lehta në kokë.
Sipas një zëdhënësi të Pentagonit, shumica e të plagosurve kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa raportime të CNN sugjerojnë se ushtria amerikane ka vonuar identifikimin dhe publikimin e disa rasteve për të mbrojtur personelin ushtarak.
Ndërkohë, SHBA-ja ka vijuar sulmet ndaj objektivave iraniane, duke goditur qendra komanduese dhe kapacitete detare gjatë natës së fundit. Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në Bandar Abbas, ishullin Qeshm dhe provincën Hormozgan, ndërsa Teherani pretendon se është goditur edhe një central bërthamor në ndërtim.
Situata mbetet e tensionuar edhe në Ngushticën e Hormuzit, ku trafiku detar ka rënë ndjeshëm pas sulmeve të fundit. Autoritetet britanike njoftuan se ekuipazhi i një anijeje të goditur u detyrua ta braktiste atë, ndërsa ushtria amerikane deklaron se ka garantuar kalimin e rreth 900 anijeve tregtare që nga fillimi i majit.
Përplasjet kanë sjellë pasoja edhe në rajon. Kuvajti njoftoi se ka kapur raketa dhe dronë armiqësorë, ndërsa Jordania bëri të ditur se ka rrëzuar tre raketa të lëshuara nga territori iranian. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja po forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar avionë shtesë dhe furnizime në Izrael.
Pavarësisht një propozimi për armëpushim 10-ditor të paraqitur nga ndërmjetësit, Uashingtoni ka lënë të kuptohet se presidenti Donald Trump nuk pritet ta pranojë atë.
Në zhvillime të tjera, ushtria izraelite njoftoi nisjen e një tërheqjeje të pjesshme nga Libani jugor, duke ia kaluar kontrollin e tre fshatrave ushtrisë libaneze, në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja pas bisedimeve mes dy vendeve.



