“E takon vetëm një herë në muaj!”/ Ajsel Abazi zbulon prapaskenat e marrëdhënies së Eros Grezdës me të birin

“E takon vetëm një herë në muaj!”/ Ajsel Abazi

Modelja shqiptare Ajsel Abazi, ka shpërthyer me akuza publike ndaj ish-partnerit të saj, futbollistit Eros Grezda, duke e akuzuar për mungesë në jetën e djalit të tyre.

Sipas saj, Grezda mungoi në festën e 3-vjetorit të vogëlushit, e takon vetëm një herë në muaj dhe ka zgjedhur t’i japë përparësi jetës së tij personale, ndërsa djali, sipas modeles, ka mbetur në plan të dytë.

Përmes një serie postimesh në InstaStory, Ajsel Abazi, e cila deri më tani kishte zgjedhur të mos fliste publikisht për jetën e saj private, tha se këtë herë vendosi të thyejë heshtjen pasi bëhet fjalë për mirëqenien e djalit të tyre.

“Ky nuk është një postim për hakmarrje, as për të denigruar dikë. Nuk është as një kërkesë për vëmendje. Është një reflektim për atë që do të thotë të jesh prind dhe për përgjegjësinë që nuk mbaron kurrë”, shkruan ajo.

Modelja sqaron se nuk e shqetëson fakti që ish-partneri ka krijuar një lidhje të re, por se e lëndon mungesa e tij si prind. Siç pretendon ajo, Grezda ka munguar në 3-vjetorin e ditëlindjes së djalit dhe ka nxjerrë justifikime për “neglizhencën” e tij.

“Te mungosh në 3-vjetorin e ditëlindjes së djalit tënd, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë ke qenë në Tiranë me partneren tënde, është një mungesë që nuk mbulohet me justifikime. Të gjesh kohë për dy javë pushime, por të thuash se nuk ke mundësi ta marrësh djalin tënd qoftë edhe për disa ditë në plazh, është një zgjedhje. Të takosh fëmijën vetëm një herë në muaj, edhe pse dera ka qenë gjithmonë e hapur, është një zgjedhje”, shprehet ajo.

Në reagimin e saj, modelja tregon se kishte dëshiruar që mes tyre të funksiononte bashkëprindërimi, por sipas saj kjo nuk ishte e mundur, ndaj komunikimi mes tyre u kufizua për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e djalit.

Ajo thekson se kjo nuk ka qenë kurrë pengesë që Grezda të kalojë kohë me të birin, duke shtuar se “dera ka qenë gjithmonë e hapur”, ndërsa shton se një fëmijë nuk ka nevojë vetëm për momente të bukura apo dhurata, por për prani të vazhdueshme.

“Ka një dallim të madh mes të qenurit prind biologjik dhe të qenurit prind i pranishëm. Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin”, shkruan modelja.

Në fund, Ajsel Abazi thekson se gjithçka që ka bërë publike bazohet edhe komunikimet mes tyre, ndërsa shton se ka zgjedhur të mos publikojë bisedat në WhatsApp, për respekt të privatësisë dhe, mbi të gjitha, të djalit të tyre.


Reagimi i plotë i Ajsel Abazit:

Nuk kam qenë kurrë nga ata njerëz që zgjedhin t’i nxjerrin historitë personale në rrjetet sociale. Kam besuar gjithmonë se disa gjëra duhen zgjidhur larg syve të të tjerëve. Por ka momente kur heshtja nuk është më forcë, sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë që nuk ka zë për të treguar atë që ndien. Prandaj, sot po vendos të flas unë publikisht.

Ky nuk është një postim për hakmarrje, as për të denigruar dikë. Nuk është as një kërkesë për vëmendje. Është një reflektim për atë që do të thotë të jesh prind dhe për përgjegjësinë që nuk mbaron kurrë, pavarësisht se si ndryshon jeta jonë personale.

Dua të sqaroj edhe diçka paraprakisht: nuk më shqetëson fakti që babai i Kianit ka zgjedhur të vazhdojë jetën e tij apo që ka një partnere të re. Çdo njeri ka të drejtë të gjejë lumturinë e tij. Ajo që më dhemb është kur krijimi i një jete të re bëhet arsye që fëmija të mos jetë më prioritet. Ky nuk është një shkrim për një ish-partner, por për një djalë të vogël që meriton praninë e babait të tij.

Ndoshta dikush do të pyesë pse nuk ekziston bashkëprindërimi mes nesh. E vërteta është se do të kisha dashur shumë që djali ynë të kishte dy prindër që, edhe pse jo më bashkë si çift, të bashkëpunonin me respekt për të mirën e tij. E kemi provuar. Por, me kalimin e kohës, kuptova se kufijtë mes rolit të prindit dhe marrëdhënies sonë si ish-partnerë nuk po respektoheshin, prandaj zgjodha që komunikimi mes nesh të kufizohej. Jo nga inati, jo nga krenaria dhe as për të ndëshkuar dikë, por sepse besoj se kjo ishte mënyra më e shëndetshme për të ruajtur qetësinë dhe stabilitetin e djalit tonë. Kjo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një pengesë për marrëdhënien e tij me djalin. Dera ka qenë gjithmonë e hapur që ata të kalojnë kohë bashkë.

Ka një dallim të madh mes të qenurit prind biologjik dhe të qenurit prind i pranishëm. Një fëmijë nuk mat dashurinë me dhurata apo premtime, por me kohën, praninë dhe përkushtimin. Fatkeqësisht, ka raste kur prioritetet ndryshojnë, ndërsa fëmija mbetet duke pritur.

Të mungosh në 3-vjetorin e ditëlindjes së djalit tënd, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë ke qenë në Tiranë me partneren tënde, është një mungesë që nuk mbulohet me justifikime. Të gjesh kohë për dy javë pushime, por të thuash se nuk ke mundësi ta marrësh djalin tënd qoftë edhe për disa ditë në plazh, është një zgjedhje. Të takosh fëmijën vetëm një herë në muaj, edhe pse dera ka qenë gjithmonë e hapur dhe nuk të është vendosur asnjë pengesë, është një zgjedhje. Edhe më e dhimbshme është kur premton se do të vish dhe nuk e mban fjalën, sepse një fëmijë pret me zemër, jo me kalendar.

Kulmi i gjithçkaje është kur një fëmijë vetëm 3 vjeç i prezantohet një person i ri si “gruaja e babit”, në një kohë kur ai ende po përpiqet të kuptojë mungesën e vetë babait.


Dhe jo, nuk po them që nuk e do djalin e tij apo që nuk ka kaluar momente të bukura me të. Sigurisht që ka. Por një fëmijë nuk ka nevojë vetëm për momente të bukura që mund të fotografohen apo të publikohen. Ka nevojë për vazhdimësi, për qëndrueshmëri dhe për një prani që nuk varet nga rrethanat. Ky nuk është një konkurs se kush ka më shumë foto apo video. Është një reflektim mbi rëndësinë e pranisë së përditshme në jetën e një fëmije.

Pavarësisht gjithçkaje, kam bërë një zgjedhje që nuk do ta ndryshoj kurrë: djalin tim e kam rritur me dashuri dhe respekt për babain e tij. Nuk kam dashur që zhgënjimet e mia të bëhen barrë e tij. Ai e do shumë babin e tij dhe unë nuk kam dashur kurrë t’ia zbeh atë dashuri. Sepse besoj se një fëmijë nuk duhet të mbajë peshën e marrëdhënies së prindërve të tij. Ajo që dua është që kjo dashuri të ketë mundësinë të ushqehet edhe nga prania, jo vetëm nga mungesa dhe pritja.

Ky shkrim nuk është për të gjykuar askënd dhe as për të nxitur urrejtje. Është një kujtesë se fëmijët nuk kanë nevojë për prindër të përsosur, por kanë nevojë për prindër që i zgjedhin ata çdo ditë. Sepse koha e humbur nuk kthehet dhe boshllëqet që lë mungesa e një prindi shpesh mbeten gjatë në zemrën e një fëmije.

Ndarja e një çifti nuk duhet të jetë kurrë ndarja e një prindi nga fëmija i tij. Marrëdhëniet mbarojnë, por përgjegjësia dhe dashuria për një fëmijë duhet të mbeten të pandryshuara.

Gjithçka që kam shkruar bazohet në përjetimet dhe komunikimet tona në WhatsApp, të cilat kam zgjedhur që, të paktën për momentin, të mos i bëj publike, nga respekti për privatësinë dhe, mbi të gjitha, për djalin tonë.

Nëse ky shkrim bën që qoftë edhe një prind i vetëm të reflektojë dhe të zgjedhë të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijës së tij, atëherë ai e ka arritur qëllimin.

EMISIONET