Qirici: Teknologjia po shfrytëzon vështirësitë tona emocionale
Në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai u diskutua për kërcënimet online dhe ndikimin që ato kanë te individët dhe shoqëria.
E ftuar në studio ishte psikologia Eksena Qirici, e cila analizoi sjelljet e ndryshme që shfaqen në botën digjitale dhe arsyet psikologjike që mund të fshihen pas tyre.
Sipas psikologes, pjesa emocionale e njerëzve shpesh mbetet e fshehur, gjë që e bën më të vështirë kuptimin e disa sjelljeve problematike në internet.
Qirici theksoi se disa persona mund të kërkojnë reagime emocionale nga të tjerët për argëtim, vëmendje apo për të ndjerë kontroll ndërsa solli në vëmendje edhe fenomenin e shantazhit online, veçanërisht te të rinjtë, duke ngritur pyetjen se përse dikush përdor presionin apo kërcënimin për të krijuar marrëdhënie apo për të arritur një qëllim personal.
Sipas Eksena Qiricit, përballë sfidave digjitale nevojitet më shumë edukim emocional, komunikim dhe ndërgjegjësim për mënyrën se si sillemi online dhe ndikimin që kemi te të tjerët.


