Propaganda me Aministinë, Hoxha: Vr*sësve iu ulet dënimi ndërsa të tjerët mbeten në qeli. Nisma nuk ul mbipopullimin në paraburgime

Amnistia e re penale pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit të saj në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë lirimit ose uljes së dënimit për qindra të burgosur.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar tashmë listat e përfituesve, nga ku zbulohet një diskriminim i thellë ligjor që ngre pikëpyetje të forta mbi drejtësinë e këtij procesi.
Në një intervistë për “Ora News” avokati Arbër Hoxha u shpreh se amnistia aktuale aplikohet vetëm për të dënuarit dhe jo për të paraburgosurit. Megjithatë, skandali i vërtetë qëndron te përjashtimi total i çdo personi të gjykuar nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) dhe të hetuar nga SPAK.
Për të shmangur perceptimin publik se po amnistohen zyrtarët e korruptuar, ligjvënësit kanë prodhuar një absurditet juridik: një person i dënuar për vrasje me paramendim apo plagosje të rëndë me pasojë vdekjen mund të përfitojë një vit ulje dënimi, ndërsa një qytetar i zakonshëm, i dënuar nga GJKKO për ushtrim ndikimi të paligjshëm me shuma minimale prej 60 mijë lekësh të vjetra, nuk përfiton asgjë.
Ky përjashtim kategorik cilësohet nga Hoxha si një shkelje e pastër e barazisë së qytetarëve përpara ligjit, e cila bie ndesh me nenet 18 dhe 19 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Përballë kësaj situate, sipas tij, pa logjikë ligjore dhe njerëzore, rruga e vetme e mbetur për të dënuarit e diskriminuar është dërgimi i këtij ligji për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila tha avokati Hoxha, mban barrën për të rrëzuar këtë qasje selektive të Parlamentit.
Nga ana tjetër, megjithëse amnistia u propagandua si një zgjidhje për mbipopullimin alarmant të burgjeve, Hoxha theksoi se efekti i saj do të jetë vetëm i pjesshëm.
Shifrat tregojnë se numri i të paraburgosurve vazhdon të jetë më i lartë se ai i personave me dënim të formës së prerë. Për më tepër, kriteret e kësaj amnistie konsiderohen tepër kufizuese.
Nga rreth 330 dispozita që përmban Kodi Penal, më shumë se 250 prej tyre janë klasifikuar si kritere ndaluese për përfitim, duke lënë jashtë qindra raste që mund të ndihmonin në lehtësimin e sistemit penitenciar, ashtu siç ndodh në modelet perëndimore si ai i Italisë.
PËR MË SHUMË NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AVOKATIN ARBËR HOXHA


