Tërhiqet nga tregu ilaçi antide*resiv, dyshime për përbërës që rrit rrezikun e ...

Tërhiqet nga tregu ilaçi antide*resiv, dyshime për

Një ilaç antidepresiv i përdorur nga miliona njerëz është tërhequr vullnetarisht nga tregu pasi u zbuluan nivele të larta të një përbërësi kimik që mund të rrisë rrezikun e kancerit. Sipas FDA-së afro 370 mijë shishe me kapsula me çlirim të vonuar të ilaçit Duloxetine po rikthehen nga tregu nga kompania Towa Pharmaceutical dhe distributori amerikan Breckenridge Pharmaceutical.

Arsyeja e rikthimit lidhet me praninë e niveleve të larta të N-nitroso-duloxetine, një përbërës që i përket grupit të nitrosaminave. Sipas autoriteteve farmaceutike të Kalifornisë, këto substanca mund të rrisin rrezikun e kancerit nëse ekspozimi ndaj tyre vazhdon për periudha të gjata dhe mbi kufijtë e konsideruar të sigurt.

Duloxetine përdoret me recetë për trajtimin e depresionit, ankthit, fibromialgjisë dhe disa llojeve të dhimbjeve nervore ose të kyçeve. I njohur gjerësisht edhe me emrin tregtar Cymbalta, ai bën pjesë në grupin e inhibitorëve të rikapjes së serotoninës dhe norepinefrinës (SNRI), duke ndihmuar në rritjen e niveleve të këtyre hormoneve që ndikojnë në humor dhe perceptimin e dhimbjes.

Deri më tani nuk është raportuar asnjë efekt i padëshiruar i lidhur me produktet e rikthyera nga tregu. Rikthimi përfshin disa seri të dozave 30 mg dhe 60 mg. Autoritetet amerikane e kanë klasifikuar rastin si një rikthim të Klasës II, që nënkupton se ekspozimi ndaj produktit mund të shkaktojë pasoja të përkohshme ose të kthyeshme për shëndetin, ndërsa rreziku për pasoja serioze mbetet i ulët.

Nitrosaminat gjenden shpesh në produktet e duhanit, në disa ushqime të përpunuara si mishrat e konservuar dhe të pjekur, si dhe në disa medikamente. Këto përbërje mund të krijohen gjatë procesit të prodhimit, nga ndotja e lëndëve të para ose nga degradimi i ilaçeve si pasojë e nxehtësisë, lagështisë apo ndërveprimit me paketimin.

Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji. Në vitin 2024, Breckenridge Pharmaceutical kishte tërhequr më shumë se 7 mijë shishe të të njëjtit medikament për shkak të niveleve të larta të nitrosaminave. Më parë janë rikthyer nga tregu edhe ilaçe të tjera të njohura si Chantix dhe Metformin për shqetësime të ngjashme.

EMISIONET