Provimet e Arsimit Bazë, mbi 29 mijë nxënës të klasave të nënta testohen sot për Gjuhën e Huaj

Provimet e Arsimit Bazë, mbi 29 mijë nxënës të klasave

Rreth 29 mijë nxënës të klasave të 9-ta sot nisin Provimet Kombëtare të Arsimit Bazë. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në një mesazh drejtuar nxënësve tha:

I kemi marrë të gjitha masat nëpër shkolla që ky proces të jetë i qetë, i rregullt, korrekt dhe të gjithë nxënësit të kenë mundësi të barabarta për të dhënë më të mirën nga vetja e të nisin plot sukses një cikël të ri në arsimimin e tyre.

Klasat e nënta kanë provimin e parë në të tre provimet kombëtare të këtij cikli. Jeni rritur dhe do të përballoni edhe sfida të tjera në jetë, por sot duhet të jemi të gjithë me ju duke ju uruar me gjithë zemër suksese sepse jeni mbi 29.000 nxënës të klasave të nënta në të gjithë Shqipërinë që keni provimin e parë të një serie prej tre provimesh.

Madje, dua gjithashtu të uroj edhe nxënësit, miqtë e mi të vegjël, por dhe të rritur njëkohësisht të Dropullit, të cilët në datën 22 kanë provimin e gjuhës së tyre amtare dhe nxënësit që kanë provimin e gjuhës maqedonase, pra të pakicave kombëtare.

Jam e sigurt që do të shkëlqeni sepse keni punuar fort, jeni përgatitur, mësuesit kanë punuar me ju dhe prindërit ju mbështesin edhe ne të gjithë jemi sot me ju në këtë sfidë të bukur që tregon se ju jeni tashmë të rritur.

Shumë suksese dhe mos harroni, nuk keni nevojë për celular, nuk keni nevojë për ora smart. Mendja juaj e bukur është arma më e fortë që keni për të përballuar këtë sfidë të re të jetës që ju përgatit pastaj për beteja e ardhshme.

Provimi nis në orën 10:00, ndërkohë që nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit.

Provimi i gjuhës së huaj mund të jetë në anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht, në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor.

EMISIONET