"Porositësi", Goditet banda e vrasjeve me pagesë: 14 të arrestuar dhe një polic burgjesh, 5 në kërkim. Video/ Armët dhe makinat e sekuestruara
Rrëmbimi i njërit prej vëllezërve Beqiraj pak ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës ka zbuluar një varg krimesh duke çuar në pranga 15 persona. Pesë bashkëpunëtorë janë shpallur në kërkim ndërkohë që një nga krimet që do kryenin ishte vrasja e Aleksandër Lahos, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut. Një tjetër krim i zbardhur është edhe masakra në rrugën "Don Bosko" Tirane, ku sipas policisë është vrarë personi i gabuar
Një rrjet kriminal i akuzuar për vrasje në Tiranë dhe në Durrës është goditur nga policia dhe prokuroria e qytetit bregdetar me arrestimin e 15 personave dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve. Pikënisja e hetimeve ka qënë dëshmia e dy vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj të cilët u sulmuan disa netë më parë në autostradën Durrës-Tiranë, madje njëri u mor peng. Ata kanë rrëfyer para hetuesve disa plane për vrasjen me pagesë të shtetasit Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Shijakut.
Drejtori i sapo emeruar në Durrës Skender Hita ka treguar sot (4 tetor 2022) se arrestimi i 2 vëllezërve erdhi pas pengmarrjes së dështuar të Indrit Beqiraj.
Skender Hita:"Personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë"
Nga rrëfimi i dy vëllezërve pas kësaj ngjarjë policia zbuloi dhe dokumentoi edhe një tjeter krim të rëndë të ndodhur në Tiranë. Sipas policisë dy vëllezërit Beqiraj janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi si dhe nga Ilirjan Feci për llogari të Kasander Noka për një vrasje në rrugën "Dom Bosko". Nëse e realizonin ata u kishin premtuar nga 50 deri në 150 mijë euro.
Skender Hita:"Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje"
Por vrasja e këtij shtetasi nuk u krye pasi atentatorët kishin ngatërruar objektiv duke eleminuar një përson të pafajshëm si dhe duke lënë të plagosur 4 të tjerë. Gjatë rrëfimit të tyre në polici 2 vëllezërit treguan edhe për vrasjen e Arben Merkurit i njohur si Maneci.
Skender Hita: Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.
Në një tjeter episod vëllezërit Beqiraj kanë rrëfyer së janë kontaktuar dhe pororsitur nga F.B për eleminimin e dy personave. Për ketë ngjarje Indrit dhe Gentian Beqiraj kishin marrë një shumë paraprake 3500 euro.
Skender Hita: "Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022"
Në këtë operacion u sekuestruan një armë zjarri makina të blinduara shuma parash si dhe mjete të tjera që dyshohet të jenë përdorur në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar se pjesë e grupit kriminal ka qenë edhe një polic i burgjesh si dhe një ushtarak.
Njoftimi i plote per shtyp 4 tetor 2022
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në koordinim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porositësi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
1. Gentian Beqiraj 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
2. Indrit Beqiraj, 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
3.Flamur Bejko, 52 vjeç, banues në Durrës (punonjës i Policisë së Burgjeve, Durrës), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
4.Pellumb Hoxha, 52 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
5. Idajet Hoxha, 42 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
6.Armand Dalipi (Daka) 43 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
7. Fatjon Myrta, 52 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
8. Blerim Elezi, 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;
9. Gentian Sheshi, 50 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
10. Kujtim Deliallisi, 64 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
11. Albano Hajdari, 38 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
12. Fatjon Hajdari, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
13. Armando Lama, 32 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale;
14. Altin Celami, 43 vjeç, banues në Tiranë (ushtarak në repartin e Pezë Helmës, Tiranë), për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve”;
Gjithashtu u referuan materialet shtesë në Prokurori, për shtetasin Ilirjan Feçi, i arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.
Në vijim të operacionit “Porositësi” u shpallën në kërkim shtetasit:
1. Agron Bejdolli, 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
2. Aleksander Laho, alias Pellumb Muharremi, 49 vjeç, banues në Sukth, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
3. Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, 42 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;
4. Alban Skonja, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale per kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;
5. Kevin Zeneli alias Kevin Suçi, 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për shtetasin K. N., aktualisht i arrestuar në Belgjikë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kanë intesifikuar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në kuadër të veprimeve të thelluara të kryera në vijimësi, si dhe atyre të kryera gjatë dy ditëve të fundit, nisur edhe nga konflikti mes 2 vëllezërve me disa persona të tjerë, u bë e mundur zbardhja e disa ngjarjeve kriminale, si dhe qëllimi i konflikit të ndodhur më datë 02.10.2022, në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, ku disa persona me automjete kanë goditur motomjetin e dy vellezërve G. B. dhe I. B. dhe më pas kanë marrë me vete, njërin prej tyre, për disa minuta.
Në sajë të veprimeve të shpejta, reagimit dhe presionit policor, personat që kishin marrë në automjet shtetasin I. B., në pamundësi për të dalë me automjet nga perimetri i rrethimit të Policisë, e kanë lënë në rrugë shtetasin I. B., kanë braktisur automjetet dhe kanë mundur të largohen në këmbë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore u bë dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe identifikimi i autorëve të saj. Është vënë në pranga njëri prej autorëve dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë. Gjithashtu u sekuestruan mjetet e përdorura në këtë ngjarje. Në automjetin me të cilin është marrë peng shtetasi I. B. janë gjetur dhe fiksuar prova shkencore.
Në vijim të hetimeve të thelluara, të nisura më parë nga Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka rezultuar se personat e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, nga viti 2021 dhe në vazhdim.
Shtetasit G. B. dhe I. B., në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.
Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.
Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.
Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.
Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.
Personat e tjerë të lartpërmendur, aktualisht të arrestuar, janë të përfshirë në aktivitetin kriminali të dy vëllezërve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon intensivisht puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve dhe të personave të tjerë të përfshirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim për të çuar përpara drejtësisë personat e përfshirë në këto ngjarje. Në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, duke iu siguruar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional.


