Pas ditësh në burgun e Pojskës me foshnjën, Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e avokatit dhe shtyn ekzekutimin e dënimit për Dorina Sejdinin

Gjykata e Tiranës ka vendosur shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, e cila prej disa ditësh qëndronte në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Edvan Veçani, pas kërkesës së paraqitur nga avokati mbrojtës Bari Shyti për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë.

Pas vendimit të gjykatës, pritet që Dorina Sejdini dhe foshnja e saj të lënë ambientet e burgut të grave në Pojskë brenda ditës së sotme.

"Gjykata vendosi rivendosjen në afat të çështjes dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit. Lirimi i saj do të bëhet brenda ditës së sotme."-tha avokati i Sejdinit.

34-vjeçarja u arrestua pak ditë më parë pasi u kthye në Shqipëri nga Gjermania, duke hyrë përmes pikës kufitare të Muriqanit. Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë për një dënim 2-mujor për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.

Sejdini u paraqit vetë në Komisariatin nr. 6 pasi u njoftua për vendimin dhe më pas u transferua në burgun e Pojskës. Fillimisht foshnja nuk ndodhej me të, por një ditë më pas iu bashkua nënës, pasi ajo kërkoi zbatimin e të drejtës për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç.

Rasti solli reagime publike dhe institucionale. Avokati i Popullit zhvilloi një vizitë në institucionin ku qëndronte 34-vjeçarja, ndërsa Presidenca bëri me dije se po ndiqte situatën dhe mundësinë e një shqyrtimi për falje presidenciale.

Me vendimin e sotëm, Gjykata e Tiranës ka hapur rrugën për lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit, ndërsa çështja do të vijojë të ndiqet në rrugë ligjore.

EMISIONET