PAMJET/ Të maskuar me kapuçë në kokë dhe syze dielli, të akuzuarit për incineratorin e Tiranës hynë në GJKKO
Teksa Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion po vijon të udhëheqë një operacion arrestimesh për zyrtarë që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës, në Gjykatën e Posaçme po mbahet këtë të hënë seanca për dhënien e masës së sigurisë për 15 të ndaluarit e pak ditëve më parë.
Në seancën që pritet të nisë në orën 10:30 rezulton se pjesa më e madhe e të arrestuarve kanë në fuqi masa sigurimi “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”.
Këta të fundit janë pikasur nga kamera e “Ora Neës” teksa zyrtarë të Bashkisë shfaqen duke hyrë me kapuçë në kokë dhe të maskuar me syze të errët në ambientet e GJKKO-së.
Hetimi i SPAK-ut
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës, të cilat çuan në lëshimin e 15 urdhërave të arrestit, kanë zbuluar një seri parregullsish në procedurat e ndjekura për t’i dhënë koncencionin kompanisë fituese.
Përveç shkeljeve ligjore, thuajse e gjithë praktika është realizuar në bashkëpunim me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensionit.
Nga hetimi rezulton gjithashtu se për disa vite me radhë, ish-ministri Lefter Koka ka patur si këshilltar të jashtëm, një ish punonjësin e tij, i cili nuk paguhej nga ministria, por që me ndërhyrjen e ish-deputetit Alqi Bllako, rezultonte i punësuar fiktivisht në kompaninë e Zotos, ku dhe merrte pagesat mujore.
Zoti Bllako për me tepër rezulton të ketë përfituar afro 120 mijë euro, në formën e një makinerie, të blerë për llogari të kompanisë së babait të tij, nga ana e sipërmarrësit Zoto.
Ish-deputeti socialist, është dënuar tashmë në shkallën e parë për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa u shpall i pafajshëm në rastin e Fierit. Por tani do të duhet të përballet me akuzën e re për korrupsion në dy raste.
E njejta situatë dhe për dy sipërmarrësit Zoto e Mërtiri ndaj të cilëve ka një mal me akuza të tjera, si dhe ish ministrin Koka, i dënuar në dy vendime të ndryshme, dhe tani sërish me akuzën “Shpërdorim detyre”.
Një akuzë e cila rëndon dhe mbi 11 persona të tjerë, pjesa dërrmuese e të cilëve, anëtarë të komisionit të koncensionit. Mes tyre është ish drejtoresha juridike e ministrisë së Mjedisit Alba Thoma si dhe Drejtori i përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha.
LISTA E TË NDALUARVE NGA SPAK
1. Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, i burgosur prej dhjetorit të vitit 2021 dhe i shpallur fajtor e dënuar për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit.
2. Alqi Bllako, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe ish-deputet i Partisë Socialiste, i burgosur nga Prilli 2022, i shpallur fajtor për aferën e inceneratorit të Fierit dhe i pafajshëm për aferën e inceneratorit të Elbasanit.
3. Pëllumb Abeshi, ish-zyrtar i Ministrisë së Mjedisit, i dënuar me burgim për aferën e inceneratorit të Fierit.
4. Mirel Mërtiri, “bosi” në hije i inceneratorëve, i shpallur në kërkim dhe i dënuar për aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit.
5. Klodian Zoto, pronari në dukje i inceneratorit të Fierit, i shpallur në kërkim, i dënuar për aferën e Elbasanit dhe të Fierit.
6. Erjon Murataj, ish-zyrtar në Bashkinë Fier, nën masë sigurimi që prej aferës së inceneratorit Fier.
Emra të rinj në listën e personave, ndaj të cilët janë vendosur masat “arrest me burg” janë:
7. Taulant Tushe, drejtor i infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës.
8. Namik Simixhiu, ish-zyrtar në Ministrinë e Mjedisit
9. Jetmir Llapaj
Ndërkohë, janë vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” disa ish-zyrtare, të cilat gjithashtu kanë qenë nën këtë masë edhe më herët.
10. Etleva Kondi, ish-zyrtare e lartë në Ministrinë e Mjedisit dhe në Ministrinë e Infrastrukturës, ndaj të cilën ka në fuqi një masë sigurimi “arrest në shtëpi” për aferën e inceneratorit të Fierit
11. Valbona Ballgjini dhe Sidita Kola janë gjithashtu pjesë e dosjes së aferës së inceneratorit të Fierit.
Nga ana tjetër, emrat e rinj të listës së “inceneratorit të Tiranës” janë Alba Thoma, Sidita Kopliku dhe Sidita Tola.