Ndryshon Kodi Rrugor, ekspertët: Rritet ndërgjegjësimi i drejtuesve. Ndryshimet do sjellin ulje të aksidenteve

Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor ku ashpërsohen gjobat për tejkalim shpejtësie dhe parashikohen penalizime të rënda për shkelje të tjera, shihen si të nevojshme nga specialistët e fushës. Me draftin e ri, rinovimi i patentës bëhet njëherë në 15 vjet, ndërsa shpejtësia e lejuar në autostrada është 130 kilometër në orë.

Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor ashpërsojnë ndjeshëm penalitetet për drejtuesit e mjeteve që kryejnë shkelje duke u bërë burim aksidentesh rrugore.

Pas miratimit të Kodit të ri, çdo drejtues mjeti që tejkalon  shpejtësinë dhe përsërit shkeljen brenda dy viteve, rrezikon heqjen e patentës për një afat nga 8 deri në 18 muaj.

Eksperti rrugor Islam Qibini thotë se ndryshimet ishin të domosdoshme pasi rritin parametra e sigurisë duke ulur dhe numrin e aksidenteve.

Islam Qibini, ekspert rrugor: Këto ndryshime janë të domosdoshme për sa i përket dinamikës së aksidenteve të ndodhura kohët e fundit. Shpeshherë vendet e BE-së bëjnë ndryshime çdo 2-3 vjet të Kodit të tyre Rrugor, në bazë dhe të statistikave të aksidenteve rrugore dhe dinamikës së tyre në vendngjarje.

Për ekspertin një nga ndryshimet e nevojshme është dhe penalizimi i shoferëve që ndalohen duke drejtuar mjetin dhe konstatohen se kanë përdorur alkool mbi 5%.

Në këtë rast, masa është 40 mijë lekë gjobë, 2 vite heqje patente dhe deri në kthimin në autoshkollë për të rimarrë patentën.

Islam Qibini, ekspert rrugor: Një përqindje të madhe zë numri i aksidenteve rrugore nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve të moshave të reja nga 19 – 34 vjeç. Duke parë këtë dinamikë të aksidenteve u propozuan ndryshimet e dispozitave të Kodit Rrugor. Kryesisht aksidentet kanë ndodhur për rritjen e fluksit të mjeteve në akset kryesore, për rritjen e shpejtësisë së lëvizjes mbi normat e lejuara dhe për moszbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, sigurisht dhe nga ana e këmbësorëve.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të Kodit Rrugor, është ai për zgjatjen e vlefshmërisë së patentave deri në 15 vite.

Nga momenti që ndryshimet hyjnë në fuqi në disa autostrada të vendit që plotësojnë standartet infrastrukturore, shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 130 km/h. Ekspertët sugjerojnë që ndryshime në Kodin Rrugor duhet që të bëhen herë pas here.

sonila musai ekspertët kodi rrugor drejtuesit aksidente

EMISIONET