Thirren nga SPAK, Artur Bushi merret në pyetje, Vangjush Dako dëshmon për 3 orë para prokurorëve
Artur Bushi dhe Vangjush Dako janë zyrtarët e radhës që po hetohen nga prokuroria e posaçme. Kryebashkiaku i Krujës është marrë në pyetje për denoncimin e një qytetari të gjobitur tri herë për ndërtim pa leje ndërkohë që ish-drejtuesi vendor në Durrës, ka dhënë sqarime për mbi tri orë, për lejen e një pallati të shembur nga tërmeti i nëntorit 2019.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit Vangush Dako janë zyrtarët e radhës që u paraqitën në SPAK për shkak të hetimeve të nisura ndaj tyre.
Qytetari i parë i Krujës, përfaqësues i PS, Artur Bushi është marrë në pyetje për mbi 90 minuta në lidhje me një hetim të nisur ndaj tij pas denoncimit të një qytetari.
Dosja ndaj kryebashkiakut të Krujës po hetohet nga prokurorja Manjola Kajana pas kallëzimit të shtetasit Muharrem Hoxha.
Bushi: Kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoçja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndertime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore! Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me proçedurat e prokurimeve dhe tenderave publike. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut.
Ai ka pretenduar se Kryebashkiaku Artur Bushi dhe Inspektoriati ndërtimor i bashkisë në mënyrë të parregullt i kanë vendosur tri gjoba me shumë totale 35 milionë lekë për një ndërtim pa leje.
Ndërkaq, Vangjush Dako është paraqitur mesditën e së enjtes para hetuesve, ku ka dhënë shpjegime si person që ka dijeni për kallëzimin e bërë nga banorët e një pallati për miratimin e lejes së ndërtimi të objektit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Dako është larguar nga prokuroria pas dëshmisë që ka zgjatur më shumë se tri orë ndërkohë që ky veprim është mësuar vetëm një ditë më pas.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, ka qenë edhe më herët në SPAK, kur ndaj tij u kryen verifikime në dosjen e blerjes së votave në qarkun e Durrësit.
Në procedimin nr.339 Dako doli në përgjime teksa flet me anëtarë të grupit Avdyli në Shijak për blerjen e votave.
Dako është shpallur non grata nga SHBA për shkak të akuzave të bëra ndaj tij që prej kohës kur ishte kryebashkiak në qytetin e Durrësit.