Ilir Shtufi, që pastronte paratë e vëllezërve Koçeku, ndërtuesi i “Malit të Tiranës”, kullës së parë që u vu në hetim nga SPAK-u dhe lidhja me taksën e paguar në infrastrukturë
Biznesmeni Ilir Shtufi është shpallur në kërkim për pastrim parash, pas një operacioni nga i cili u godit një grup i trafikut të drogës që drejtohej nga vëllezërit Koçeku.
Sipas SPAK, Shtufi është shpallur në kërkim nën dyshimet për pastrim parash, pasi dyshohet se ka bashkëvepruar me grupin kriminal duke investuar dhe të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i trafikut të narkotikëve.
Ndaj Shtufit është lëshuar masa e sigurisë "arrest me burg", që ende nuk është ekzekutuar pasi dyshohet se ndodhet jashtë vendit.
Në fakt, biznesmeni nuk është një emër i panjohur. Ilir Shtufi është i njohur në sektorin e ndërtimit në vendin tonë. Ai zotëron 91% të aksioneve të kompanisë “Nova Construction 2012”, një nga kompanitë e përfshira në projekte të rëndësishme zhvillimi dhe infrastrukture në vend dhe njihet si biznesmeni i “qiellgërvishtëseve”.
Kompania “Nova Construction 2012” ishte gjithashtu një nga tre operatorët ekonomikë që fituan tenderin për Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Edhe kjo procedurë është aktualisht objekt hetimi nga SPAK.
Ndër projektet më të njohura të lidhura me emrin e tij është edhe kulla “Mali i Tiranës”, një prej ndërtimeve më ambicioze të planifikuara në kryeqytet.
Sipas projektit, bëhet fjalë për një godinë me 65 kate, nga të cilat 58 mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, me një lartësi prej rreth 185 metrash.
Në kuadër të operacionit kundër grupit kriminal të trafikut të drogës, SPAK ka vendosur sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pasurish që lidhen me biznesmenin Ilir Shtufi. Po ashtu, janë lëshuar 20 masa sigurie.
HETIM I “MALIT TË TIRANËS” NË NGA SPAK
Kulla “Mount Tirana” ose shqip “Mali i Tiranës” është vënë në hetim nga SPAK, bazuar në raportimin e fundit që gazetarja që mbulon çështjet e drejtësisë, Klodiana Lala bëri në TPZ disa ditë më parë.
Projekti gjigant për ndërtimin e kullës më të lartë që do të ngrihet në Tiranë do të hetohet për pastrim parash dhe shpërdorim detyre për zyrtarët që mundësuan dhënien e lejes.
Të tjera raportime mediatike lidhin ndërtuesit e kullës, zyrtarisht ata janë dy biznesmenët Kujtim dhe Ilir Shtufi.
Një episod që mori vëmendje në media kur debati për kullën nisi (gusht 2023), ishte se prezent në shpalljen e projektit fitues ishte edhe biznesmeni Agim Zeqo. Edhe pse ai nuk kishte lidhje me projektin, qëndroi në rreshtat e pasëm edhe pse deri në shpalljen e lejes nuk kishte asnjë lidhje me këtë projekt.
Në disa verifikime që ZËRI bëri në lidhje me praninë e Zeqos në këtë aktivitet, zbuloi se bashkëpunimi për ndërtimin e kullës, po ecte paralelisht edhe me veprimet ligjore. Më 1 tetor 2022, Agim Zeqo shoqëroi grupin e Nova Construksion për tu njohur me vendimin fitues.
3 ditë më pas, më 4 tetor 2022, Agim Zeqo dhe Nova Construction nënshkruan një kontratë noteriale, ku kompania “Nova Construction 2012”, shiti 20% të aksioneve të shoqërisë së saj, Nova Solar System te biznesmeni Agim Zeqo për 9 milionë lekë. Kjo kompani, që rezulton vetëm me humbje nga bilancet në QKB, në qershor të vitit 2023 u licensua për të nisur prodhimin e energjisë elektrike për 30 vite në një central fotovoltaik në Marinas të Fierit.

Kjo e dhënë, shoqërohet edhe një tjetër gjetje e gazetares Ola Xama në Kronos. Gazetarja deklaroi se taksa e ndikimit në infrastrukturë për Mali i Tiranës është paguar jo nga kompania Nova Contruction por nga biznesmeni Agim Zeqo, në vlerën e 2.3 milionë euro, duke e bërë edhe më të paqartë burimin financiar me të cilin po ndërtohet kjo kullë, apo arsyen përse u bë kjo bamirësi.
“Jemi marrë edhe me pagesën e taksave nga projektet që kanë nisur ose janë në proces. Kompania Nova Construction është e lidhur me biznesmenin Agim Zeqon. Ai ka paguar taksën në infrastrukturë, për kullën. Nuk është kompania Nova Contruction që po paguan taksën, por 2.3 milionë është paguar nga Agim Zeqo. Pra leja i është dhënë kompanisë dhe taksa e ndikimit në infrastrukturë është paguar nga ky biznesmen.”-tha Xama.
Mali i Tiranës është kulla e parë që vihet në hetim nga drejtësia shqiptare për pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Ky projekt që zhbëri lulishten prapa Pallatit të Kulturës, u prezantua fillimisht se do të ishte 185 metra e lartë, ndërsa sot, varianti përfundimtar është 205 metra, me 58 kate dhe 7 kate parkim nëntokësor.
/Marrë nga "ZËRI.al"



