Një pyetje që protesta duhet t'ia bëjë vetes

Një pyetje që protesta duhet t'ia bëjë vetes

Pjesëmarrja e lartë në protestë është një lajm i mirë. Ajo tregon se pakënaqësia nuk është individuale. Nuk është e izoluar as thjesht shqetësimi i disa njerëzve.

Ajo tregon se shumë nga ne ndjejnë se diçka e rëndësishme nuk funksionon më siç duhet në jetën e vendit.

Por një pyetje mbetet: - A MJAFTON NUMRI?

Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse protesta ka njerëz. Pyetja është nëse ajo ka drejtim.

Historia ka njohur protesta me shumë njerëz, që nuk kanë sjellë ndryshim dhe protesta më të vogla që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.

Këtë e them jo si një vëzhguese e largët. E them edhe si dikush që ka qenë pranë protestës studentore të vitit 2018.

Ashtu si shumë të tjerë, e mbështeta me bindjen se po lindte një moment i ri për shoqërinë shqiptare.

Ishte një protestë që përfshiu gjithë vendin.

Ishte një protestë që ngjalli shpresë.

Ishte një protestë që tregoi energjinë, guximin dhe potencialin e një brezi të ri.

Dhe pikërisht për këtë, zhgënjimi im ishte i madh kur ajo energji nuk u shndërrua në ndryshimin që pritej!

Prandaj sot, përballë kësaj proteste, nuk mund të mos shtroj të njëjtat pyetje.

←    Cilat janë kërkesat e saj?

←    Cilat janë objektivat konkrete?

←    Cili është momenti që do të konsiderohet sukses?

←    Çfarë duhet të ndodhë që qytetarët të thonë: - Po, kjo protestë arriti diçka.

Një protestë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që mblidhen. Ajo matet edhe me aftësinë për ta kthyer energjinë qytetare në qëllime të qarta, në organizim dhe në presion të qëndrueshëm.

Në të kundërt ekziston rreziku që rruga të mbushet çdo ditë, por askush të mos dijë saktësisht se çfarë po kërkohet dhe çfarë duhet të ndryshojë.

Duke thënë këtë, nuk kundërshtoj protestën – PËRKUNDRAZI – Bëj thirrje që ajo të bëhet - Më e fortë- Më e qartë - Më e bashkuar - Më e vendosur në objektivat e saj.

Kjo, pasi pakënaqësia është vetëm pika e nisjes.

Ndryshimi fillon:

*  Kur Pakënaqësia organizohet dhe,

- Kur qytetarët nuk bashkohen vetëm rreth asaj që kundërshtojnë, por edhe rreth asaj që kërkojnë.

Shembulli i protestës studentore duhet të na shërbejë si reflektim.

Jo për të humbur besimin te protesta, por për të kuptuar se energjia qytetare, sado e madhe të jetë, nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në drejtim, objektiva dhe rezultate.

Shumë lëvizje nuk kanë dështuar sepse u mungonin njerëzit.

Kanë dështuar sepse u mungonte qartësia.

Sepse nuk arritën të ndërtojnë një drejtim të përbashkët.

Sepse energjia nuk u shndërrua në rezultat.

Dhe kjo do të ishte humbja më e madhe edhe sot.

Jo vetëm për protestuesit.

Mbi të gjitha, për vetëbesimin e qytetarëve se ndryshimi është i mundur.

Nëse mijëra qytetarë vazhdojnë të mbushin bulevardin ditë pas dite, protesta ka fituar tashmë një betejë të rëndësishme: ka dëshmuar se pakënaqësia është reale, e gjerë dhe e qëndrueshme.

Por kjo nuk mjafton. Askush nuk del përditë të tëra në protestë vetëm për të numëruar pjesëmarrësit.

Njerëzit dalin sepse besojnë se diçka duhet të ndryshojë. Dhe sa më e madhe të jetë pritshmëria, aq më i madh do të jetë zhgënjimi nëse energjia qytetare mbetet pa rezultat.

Prandaj pyetja që sot duhet të na shqetësojë nuk është sa veta janë në bulevard.

PYETJA ËSHTË: - A po ndërtohet aty një lëvizje e aftë të prodhojë ndryshim?

Sepse e vërteta është se në fund të fundit:

Jo çdo turmë bëhet lëvizje dhe, jo çdo lëvizje bëhet forcë transformuese.

Kjo kërkon vizion, organizim, objektiva dhe përgjegjësi.

Nëse këto ndërtohen, kjo protestë mund të bëhet një moment historik.

Nëse jo, rrezikon të përsërisë një histori që Shqipëria e ka përjetuar më parë:

Shumë shpresë, shumë energji, shumë njerëz, por shumë pak ndryshim.

Dhe kjo është një përgjegjësi që nuk i përket vetëm organizatorëve të protestës.

Ajo i përket të gjithë atyre që besojnë se Shqipëria meriton më shumë se sa pakënaqësi të shprehura.

Meriton ndryshim të arritur dhe të realizuar.

EMISIONET