FOTO/ 12-vjeçari dyshohet se u mb*t me një petullë, autoritetet po hetojnë pjesëmarrjen në një sfidë TikTok-u

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Yonkers në shtetin e Nju Jorkut, ku 12-vjeçari Jacob Medina humbi jetën pasi u mbyt gjatë kohës që ndodhej në ambientet e shkollës. Autoritetet amerikane po hetojnë nëse incidenti lidhet me një sfidë të rrezikshme që qarkullon në rrjetin social TikTok.
Sipas informacioneve paraprake, nxënësi i klasës së gjashtë dyshohet se po përpiqej të realizonte të ashtuquajturën “One Bite Challenge”, një trend viral ku pjesëmarrësit tentojnë të gëlltisin një ushqim të tërë me vetëm një kafshatë. Raportohet se 12-vjeçari ishte duke u përpjekur të konsumonte një petull të plotë kur nisi të kishte vështirësi serioze në frymëmarrje.
Një punonjës i shkollës e gjeti menjëherë dhe i dha ndihmën e parë, ndërsa pak çaste më vonë në vendngjarje mbërritën edhe anëtarë të tjerë të stafit për të asistuar deri në ardhjen e ekipeve të emergjencës. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, Jacob u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tij pak pas mbërritjes. Policia e Yonkers ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Shefi i policisë, Christopher Sapienza, deklaroi se hetuesit do të shqyrtojnë çdo provë të mundshme, përfshirë dëshmitë dhe çdo lidhje eventuale me sfidat virale në TikTok.
Edhe përfaqësues të prindërve kanë kërkuar analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë së shkollës për të rindërtuar minutë pas minute atë që ndodhi përpara se fëmija të humbiste ndjenjat. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dalë me një përfundim zyrtar mbi shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë.


