Nga interesi për bizneset tek tokat në Shqipëri, zhduket pa gjurmë kinezja me pasaportë shqiptare

Nga interesi për bizneset tek tokat në Shqipëri, zhduket pa

Një shtetase kineze, e identifikuar si Yu Ting, 50 vjeçe, rezulton e zhdukur prej 20 majit në Greqi, ndërsa autoritetet greke po hetojnë çështjen në disa pista me sfond kriminal.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë edhe lidhjet e saj me Shqipërinë, ku kishte shfaqur interes për investime dhe kishte siguruar leje qëndrimi.

Sipas mediave greke, 50-vjeçarja u largua nga banesa e saj në Artemida në orën 10:05 të mëngjesit të 20 majit, me destinacion qendrën e Athinës. Familjarët kanë deklaruar se atë ditë ajo kishte planifikuar të mblidhte qiratë e disa apartamenteve të dhëna me qira për shtetas kinezë. Gjurmët e saj humbën menjëherë pasi zbriti nga autobusi.

Bashkëshorti i saj grek, Vasilis Karavasilis, është shprehur se beson se gruaja e tij ose është rrëmbyer, ose është vrarë. Ai theksoi se deri tani nuk ka prova që të çojnë në një përfundim të qartë për fatin e saj, por e konsideron të pamundur që ajo të jetë larguar me dëshirën e saj.

Gjatë hetimeve është zbuluar se më 17 janar 2026 Yu Ting ishte pajisur me leje qëndrimi njëvjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë, për shkak të interesit të saj për të investuar në Shqipëri. Sipas dëshmive, ajo po shqyrtonte mundësinë e ndërtimit të një impianti për prodhimin e ujit të ambalazhuar në zonën e Bogovës, ku kishte vizituar dy herë një burim uji në emër të investitorëve kinezë.

Një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, e cila kishte bashkëpunuar me të, deklaroi për televizionin grek “MEGA” se projekti nuk u konkretizua, megjithëse interesi për investimin kishte qenë real.

Lidhjet e Yu Ting me Shqipërinë shfaqen edhe në një takim të zhvilluar katër ditë para zhdukjes së saj. Sipas dëshmive të publikuara nga mediat greke, në takim morën pjesë vetë 50-vjeçarja, një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, një shtetas kinez, një prift dhe një ish-oficer policie.

Prifti, i cili ishte i pranishëm në takim, deklaroi se arsyeja e takimit ishte diskutimi për prona dhe investime. Ai tregoi se agjentja shqiptare ia kishte prezantuar Yu Ting si përfaqësuese të investitorëve të pasur kinezë që kërkonin të blinin toka, hotele, shtëpi dhe prona të tjera në Greqi.

Ndërkohë, agjentja shqiptare konfirmoi për mediat greke se kishte bashkëpunuar me Yu Ting që prej vitit 2022. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe u ishin prezantuar investitorëve kinezë më shumë se 20 prona, por asnjë prej negociatave nuk kishte përfunduar me marrëveshje.

Edhe motra e 50-vjeçares ka konfirmuar interesin e saj për Shqipërinë. Ajo deklaroi se Yu Ting i kishte treguar në fund të muajit prill se planifikonte të udhëtonte drejt Shqipërisë për të parë disa parcela toke, duke i kujtuar gjithashtu se kishte marrë leje qëndrimi njëvjeçare në vend.

Në të njëjtën kohë, hetuesit po shqyrtojnë edhe një pistë tjetër, që lidhet me një mosmarrëveshje biznesi në Athinë. Sipas mediave greke, Yu Ting dyshohet të ketë qenë e përfshirë në negociata për blerjen e një stacioni karburanti. Një shtetase kineze, e përfshirë në këtë transaksion, pretendon se është mashtruar nga Yu Ting dhe partneri i saj, pasi kishte investuar 100 mijë euro të marra hua nga familjarë dhe miq, ndërsa marrëveshja nuk u realizua kurrë.

Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e fatit të 50-vjeçares, duke mos përjashtuar asnjë pistë lidhur me zhdukjen e saj./Boldnews

EMISIONET